Ministrja Hoxha priti kuvendarët e Bavarisë

Prishtinë,   |   29/06/2017

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot, ka pritur në takim një delegacion të Parlamentit të Bavarisë, të cilëve u printe, Znj. Sylvia Stierstorfer, deputete e këtij parlamenti.

Ministrja Hoxha theksoi angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e prioriteteve si fuqizimin e sundimit të ligjit, transparencën dhe llogaridhënien. Në veçanti, Ministrja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit juridik dhe marrjen e përvojave pozitive në drejtësi nga vendet evropiane.


“Kemi sfida por edhe të arritura në drejtësi me rezultate të prekshme, për këtë përgëzoj edhe Gjermaninë që na kanë qëndruar pranë, për të ngritur një sistem të drejtësisë sa më efikas, të paanshëm dhe duke fuqizuar sundimin e ligjit. Gjermania ka dhënë një kontribut të madh në këtë drejtim”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, duke vënë në pah përkrahjen e reformës juridike dhe prioritetin e realizimit të procesit të integrimeve.


Deputetja dhe udhëheqësja e delegacionit, Znj. Sylvia Stierstorfer, theksoi se në këtë proces të ecjes përpara të drejtësisë kosovare, do të kenë mbështetjen dhe shprehu përkushtimin se do të ofrojnë ekspertizën e duhur juridike, në veçanti për Kodin Civil që është në proces të hartimit, por edhe duke e mbështetur me projekte të ndryshme fuqizimin e sundimit të ligjit.