Ministrja Hoxha: Kryesit e krimeve të luftës ndaj shtetasve të Kosovës duhet të ndëshkohen

Prishtinë,   |   25/08/2017

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot, ka pritur në takim këshilltarin e lartë të Zyrës Global Criminal Justice me seli në Uashington, Ari Bassin, me të cilin diskutoi për çështjen e krimeve të luftës.

Ministrja Hoxha, e njohu këshilltarin Bassin me të arriturat në lëmin e drejtësisë për çështjen e krimeve të luftës, kompensimin e viktimave të krimit, angazhimin e vazhdueshëm në këtë drejtim, si dhe ndihmën e pakursyer nga ShBA për këto çështje.
 
“Vendi ynë, ka ende plagë të hapura, jo vetëm për shkak të mosndëshkimit të planifikuesve të krimit dhe ekzekutuesve të krimeve monstruoze gjatë Luftës së fundit në Kosovë nga forcat militare e paramilitare serbe, por edhe çështjen e të pagjeturve dhe kompensimi i viktimave të krimit”, theksoi ministrja Hoxha, duke theksuar se kjo çështje mbetet sfidë për organet e drejtësisë kosovare.
 
Ndërkaq këshilltari i lartë, Ari Bassin, pranë zyrës Global Criminal Justice, theksoi rëndësinë e ndëshkimit të krimit, duke i dhënë mbështetje iniciativës së Presidentit Thaçi, “Për të vërtetën dhe Pajtimin”, si dhe kompensimin e viktimave të krimit në Luftën e fundit në Kosovë.
 
Ministrja Hoxha theksoi se ende ka shumë pak akuza të ngritura ndaj autorëve të krimeve monstruoze të kryera ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke vënë në pah sfidat e këtij procesi, por edhe gatishmërinë e institucioneve tona për kompensimin e viktimave të krimit.