Ministrja Hoxha kujton 11 Shtatorin: Si gjithherë shprehim solidaritet me viktimat e sulmit terrorist

Prishtinë,   |   11/09/2017

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka rikujtuar 11 Shtatorin, ditën e sulmit të tmerrshëm “djepit të demokracisë së përbotshme, Shtetet e Bashkuara”, duke e cilësuar edhe si “sulm ndaj çdo qytetari të lirë”, në një postim në rrjetin social.

Ministrja Hoxha ka potencuar se “gjithherë, do ta kujtojmë këtë ditë duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave të pafajshme dhe të prekurit nga ky sulm i tmerrshëm, kudo në botë”  si dhe “përkrahje të plotë për popullin mik amerikan dhe koalicionin global kundër terrorizmit”.

Ky është postimi i plotë i Ministres Hoxha:

“Sulmi terrorist i 11 Shtatorit 2001, ishte sulm ndaj qytetarëve të pafajshëm, ishte sulm ndaj djepit të demokracisë së përbotshme, Shtetet e Bashkuara dhe sulm ndaj çdo qytetari të lirë.

Sot, si gjithherë, do ta kujtojmë këtë ditë duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave të pafajshme dhe të prekurit nga ky sulm i tmerrshëm, kudo në botë.

Po këtë ditë, ka filluar një sfidë dhe përballje e re me ideatorët e sulmeve të tilla makabre dhe shprehim përkrahje të plotë për popullin mik amerikan dhe koalicionin global kundër terrorizmit”, ka shkruar Ministrja Hoxha në rrjetin social.