Raporti 6 mujor i Ministrisë së Drejtësisë

Përmbledhje e aktiviteteve dhe punës së bërë në gjashtë muajt e parë të Ministrisë së Drejtësisë nën udhëheqjen e Prof. Dr. Hajredin Kuçi

Që nga data 24 shkurt 2011 kur Zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi mori detyrën e Ministrit të Drejtësisë, në gjashtë (6) mujorin e parë të saj, Ministria e Drejtësisë ka realizuar progres të dukshëm në shumë fusha brenda fushëveprimit, kompetencës dhe kapaciteteve të saj.

Gjatë këtij gjashtëmujori, kujdes të veçantë pa dyshim Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar përmbushjes së obligimeve të dala nga Plani i Veprimit për Partneritetin Evropian, i përpiluar në bazë të vërejtjeve dhe sugjerimeve të Raportit të Progresit të viteve të kaluara. Gjithashtu, kujdes të veçantë iu është kushtuar edhe rekomandimeve dhe në përgjithësi konkluzioneve nga takimi i dytë i nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri (DLS) në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit (DPSA). Siç dihet, këto konkluzione janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi që zbatimi i tyre është matës i progresit në Kosovë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.

Fushat në bazë të konceptit të punës së kabinetit të ri, në të cilat është arritur progres i janë të listuara me sa vijon: 

Hartimi i legjislacionit

Progres i theksuar është arritur posaçërisht në procesin e përgatitjes dhe të hartimit të infrastrukturës ligjore të cilat janë të parapara ne strategjinë legjislative, shumica e të cilave ndërlidhet me sfidat e identifikuara nga Raporti i progresit. Në lidhje me këtë, duhet të ceket se gjatë këtij gjashtëmujori, Ministria e Drejtësisë ka arritur që të hartojë të gjitha ligjet të cilat janë identifikuar si sfida në Raportin e Progresit të viti të kaluar. 

Gjatë kësaj periudhe, MD ka qenë bartës i hartimit të 13 projektligjeve të parapara me strategjinë legjislative 2011. Nga këto 13 projektligje, janë miratuar nga Qeveria e Kosovës tetë (8) projektligje dhe janë proceduar për miratim në Kuvend. Kuvendi ka miratuar dy (2) ligje të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, kurse 6 projektligje tjera janë miratuar në parim dhe pritet shqyrtimi i dytë, këto janë të gjitha ligjet e identifikuara nga Raporti i progresit. 

Ministria e Drejtësisë vazhdimisht ka treguar performancë të shquar dhe gatishmëri për punë dhe përkushtim sa i përket raporteve lidhur me legjislacionin e po ashtu edhe ligjeve qe kanë te bëjnë me paketën kundër Korrupsionit, për këtë Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar shumë ngushtë me Agjencinë kundër Korrupsion, Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, etj.

Nga momenti i ardhjes së kabinetit të ri, është punuar me një intensitet shumë të lartë edhe në procesin e Amandamentimit të Kodit Penal të Kosovës. Grupi Punues, i përbërë nga ekspertë të kësaj fushe, profesorë universitar, praktikues të së drejtës penale dhe përfaqësues të strukturave ndërkombëtare në Kosovë, ka përfunduar punën dhe shumë shpejtë pritet që ky Projektligj të aprovohet në Qeveri dhe më pas të procedohet për proceduarat e mëtutjeshme në Parlament. 

Së shpejti, gjatë muajit shtator, pritet të fillojë puna e grupit të ri punues i cili do të punojë në Kodin e Procedurës Penale, puna për të cilin varet drejtpërdrejtë nga vetë Kodi i ri Penal i cili pritet të miratohet. 

Profesionet e lira
 
Me qëllim të eliminimit të mbingarkesës së lëndëve të konsiderueshme të rasteve gjyqësore, Ministra e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa konkretë në  funksionalizimin e sistemit të noterisë në Kosovë. Gjatë kësaj faze, më konkretisht në tremujorin e dytë të punës, është arritur që të certifikohen dhjetë noterët e parë në republikën e Kosovës. Këta noterë pritet që të fillojnë punën nga janari i viti 2012, kur ata do të licencohen. Ndërkohë, në të njëjtin drejtim, është mbajtur testimi me shkrim për kandidatë të tjerë të cilët pritet të kompletojnë edhe pjesën verbale të provimit javën që vjen. Natyrisht, të gjitha këto procese janë bërë në bashkëpunim me Zyrën zvicerane dhe noterët janë trajnuar nga Instituti Ndërkombëtar i Noterisë.

Gjithashtu, është funksionalizuar dhe është kompletuar korniza ligjore për funksionalizimin e institucionit të ndërmjetësimit. Ka përfunduar procesi i trajnimit të 90 ndërmjetësve që ishin përzgjedhur  kandidatë nga shumica e rajoneve të Kosovës, kurse trajnues ishin ekspertët nga Austria. Ndërmjetësit e trajnuar janë certifikuar nga Komisioni për Ndërmjetësim, dhe pritet të licencohen së shpejti nga Ministria e Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë ka kompletuar infrastruktura ligjore për funksionalizimin e ndërmjetësimit në të gjitha fazat e procedurës.

MD gjithashtu ka rritur efikasitetin sa i takon procedurave për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Këtu vlen të përmendet që me vendim të Ministrit të Drejtësisë është zbritur pagesa për dhënien e këtij provimi.

Në kuadër të kompetencave të saj, Ministria e Drejtësisë ka bërë përfaqësimin e Qeverisë dhe autoriteteve tjera publike në procedurat gjyqësore dhe të arbitrazhit, në pajtim me legjislacionin në fuqi. Për periudhën gjashtë mujore janë hapur/pranuar 2326 raste të Procedurës Kontestimore, Jokontestimore, Përmbarimore dhe Administrative.

Shërbimi Korrektues dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe disiplinës në punë në Shërbimin Korrektues dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës, por edhe duke respektuar të drejtat e të burgosurve, përmes Memorandumeve të Mirëkuptimit janë ftuar organizatat e shoqërisë civile të monitorojnë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Në këtë vazhdë, me vendim të Ministrit të Drejtësisë është themeluar dhe funksionalizuar Inspektorati për Shërbimin Korrektues të Kosovës i cili do të bëjë Inspektimin e punës së bërë në këto institucione dhe mbarëvajtjes së funksioneve të tij. 

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe transparencës, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar që të gjitha vendimet e Panelit të Lirimit me Kusht të publikohen në ueb faqen e MD. Gjithashtu, MD ka kërkuar që pjesë monitoruese e punës së Panelit për Lirim me Kusht të jenë tre deputetë të Parlamentit të Kosovës, dy nga opozita e një nga pozita. Për po të njëjtat qëllime, MD ka nënshkruar edhe një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me disa Organizata të shoqërisë civile me të cilat mundësohet bashkëpunimi në disa  nga procese kyçe që zhvillohen nga MD. Ndër marrëveshjet me shumë rëndësi është edhe marrëveshja e lidhur me Këshillin Prokurorial për transferimin e personelit, kompetencave për rekrutimin e Prokurorëve të rinj, dosjeve dhe aseteve nga MD tek KPK. Ky proces është përfunduar me sukses të plotë gjatë këtij tremujori të fundit. 

Ndërlidhur me punën e bërë nga SHKK, janë përmirësuar kushtet e përgjithshme në burgje në përputhje me kërkesat dhe normat ndërkombëtare si për nga akomodimi njashtu edhe për nga trajtimi, afrimi i përkujdesjes shëndetësore, ushqimi, arsimimi, aftësimi profesional dhe punësimi. Gjatë viti kalendarik 2011, me qëllim të përmasimit të kushteve për të burgosur dhe arritjes së standardeve më të larta janë ndërmarr këto veprime konkrete:

•    Është filluar me ndërtimin e Burgut të Sigurisë së lartë, institucion ky i cili i mungon Shërbimit Korrektues të Kosovës,
•    Është filluar me procedura për ndërtimin e dy Qendrave të reja të paraburgimit asaj në Prishtinë dhe në Gjilan,
•    Është bërë inaugurimi dhe është lëshuar në funksion Burgu për dëshmitarë të mbrojtur.
•    Është rinovuar në tërësi Objekti për të Mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan,
•    Është bërë funksionalizimi i plotë i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë. 
•    Të gjitha Institucionet kanë sistem të kamerave për vëzhgim dhe në këtë drejtim pritet që të përfundohet edhe me Qendrën Korrektuese në Dubravë;
•    Janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në krijimin e njësisë ekonomike  për aktivizimin e te gjitha resurseve prodhuese ne SHKK-së, etj. 

Shërbimi korrektues i Kosovës në përgjithësi, në veçanti Qendra Korrektuese për të mitur në Lipjan ka krijuar kapacitete të mjaftueshme për akomodimin dhe trajtimin e të miturve me masë edukuese korrektuese dhe atyre të dënuar me burg për të mitur. Sidoqoftë, Ministria e Drejtësisë në Qendrën Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan, ka bërë inaugurimin e pavijonit B pas renovimit dhe ka lëshuar në përdorim kabinetin e informatikës, për të miturit që vuajnë dënimin në këtë qendër. Sa i takon rritjes së efikasitetit dhe transparencës së plotë, është bërë bartja e kompetencave në SHKK për administratë, financa dhe prokurim. Janë Hartuar programe të ndryshme  për punësimin e  të burgosurve.

Vlen të përmendet që me qëllim të zbatimit të Kodit Penal për të Mitur, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar Memorandumin me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë me qëllim të funksionimit të plotë të shkollimit për të mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan me plotësimin e lëndëve shtesë nga Drejtoria e Arsimit në KK të Lipjanit. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë ka vazhduar bashkëpunimin e ngushtë edhe me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për organizimin e kurseve dhe trajnimeve të ndryshme profesionale për të miturit. Pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal për të Mitur, Ministria e Drejtësisë ka themeluar Këshillin  Drejtues për reformimin dhe monitorimin i sistemit të Drejtësisë për të mitur. Ky këshill drejtues ka hartuar Rregulloren e brendshme si dhe  Planin e veprimit për vitin 2010- 2011. Këshilli Drejtues  në rolin e saj mbikëqyrës për reformimin e sistemit të drejtësisë për të mitur është përpjekur që gjatë gjithë kohës të monitorojë maksimalisht  sistemin e drejtësisë për të mitur në vendin tone.

Në Shërbimin Sprovues të Kosovës numri i përgjithshëm i lëndëve (kërkesave) për anketa sociale që kanë ardhur nga prokuroritë dhe gjykatat në këtë Shërbim është 955. Ky shërbim në mbështetje të UNICEF-t dhe UNDP-së ka hartuar Strategjinë 2011-2014 si dhe ka filluar ndërtimin/instalimin e Data Bazës për Shërbimin Sprovues. Ka hartuar Rregulloret e brendshme të punës në SHSK konform Ligjit për Ekzekutim të sanksioneve Penale.  Shërbimi Sprovues i Kosovës është në fazën e anëtarësimit në organizatën evropiane të Sprovimit - CEP, ku bordi kësaj organizate ka aprovuar kërkesën e SHSK për anëtarësim. kurse pranimi formal pritet  të bëhet nga asambleja e përgjithshme e kësaj organizate.

Angazhimet për dhe me Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës

Ministria e Drejtësisë veçanërisht ka luajtur rol kyç duke ofruar tërë ndihmën dhe ekspertizën e saj ne themelimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës  dhe në bazë të Memorandumit të nënshkruar, është realizuar bartja e kompetencave dhe është bërë transferimi i stafit, administratës dhe buxhetit tek Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë është angazhuar për sigurimin e hapësirës për KGJK dhe KP në ish-objektin e OSBE.

Gjatë kësaj periudhe është vënë gurëthemeli i Pallatit të Drejtësisë, janë kryer përgatitjet e nevojshme së bashku me MAP dhe ZNKE përkitazi me fillimin e ndërtimit të Shtëpisë së përkohshme të sigurt dhe të Institutit të psikiatrisë Mjeko-ligjore, projekte këto të bashkëfinancuara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Paraprakisht, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me MAP me ç’rast është dakorduar që kompetencat dhe të gjitha procedurat për ndërtimet kapitale të të lartpërmendurave të barten dhe të kalojnë tek MAP. 

Nga MD janë ndërmarrë hapat konkret  për  shqyrtimin e formave që Divizioni për integrim gjyqësor  të transferohet në Këshillin gjyqësor të Kosovës. Planifikohet shkrirja e stafit të këtij Divizioni në KGJK   (në përbërje te personelit gjyqësor)  me qëllim të zbatimit te vendimeve  të qeverisë  dhe  menaxhimit sa më të mirë të mjeteve buxhetore. E gjithë kjo do te mundësojë efikasitetin më të mirë  dhe përshpejtim të lëndëve  të pazgjidhura  të cilat  janë regjistruar në Divizionin për Integrim Gjyqësor . Është finalizuar Databaza për Divizionin për Mbrojtje dhe Ndihme te Viktimave dhe ka filluar procesi i futjes se te dhënave, regjistrimit te rasteve të asistuara, dhe veprimet te cilat janë  ndërmarr ne drejtim te ofrimit te mbrojtjes dhe ndihmës për viktimat e krimit. 

Me qëllim të ngritjes së transparencës dhe përgjegjësisë publike para qytetarëve të Republikës së Kosovës, për punën, angazhimet dhe shpenzimet që bëhen në Ministrinë e Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim që çdo të premte të bëhen publike të gjitha shpenzimet javore, duke filluar nga Kabineti i Ministrit, Sekretari i Përgjithshëm, Departamentet, Agjencitë dhe Zyrat e Ministrisë së Drejtësisë. Këto raporte gjenden në linkun e faqes ueb të MD: ”Shpenzimet e Ministrisë së Drejtësisë”.

Ministria e Drejtësisë ka lëshuar në funksion një numër pa pagesë në të cilin qytetarët mund t’i shprehin dhe paraqesin shqetësimet dhe ankesat e tyre lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë ku shërbimet për shfrytëzimin e këtij numri përmes thirrjeve janë pa pagesë. Përveç kutive të ankesave nëpër secilin Institucion të Ministrisë së Drejtësisë, ku mund të vendosen letrat në formë fizike, qytetarëve gjithashtu iu është dhënë mundësia t’i shprehin opinionet dhe shqetësimet e tyre në adresën elektronike, për çka do të ruhet konfidencialiteti i plotë në pajtim me rregullat dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar 

Ministria e Drejtësisë ka bërë funksionalizimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK) me kapacitete të plota, duke e organizuar këtë Agjenci dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Gjykatat, Prokuroritë, Policinë e Kosovës dhe organet tjera të kësaj fushe. Kjo Agjenci është në fazën e fundit të kompletimit të stafit të saj dhe ka arritur në një shkallë të mirë të funksionalizimit të saj.  Sa i përket hapësirave aktualisht është ne fazë të rëndësishme të sigurimit të depos për nevoja të Agjencisë, e cila pritet shumë shpejt  të sigurohet. AAPSK gjatë kësaj periudhe kohore ka arritur të hartoj i legjislacionit sekondar, ka hartuar Planin e Punës për Agjencinë për vitin 2011, ka bërë përgatitjen e analizës mbi masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren me qëllim të ngritjes  së nivelit të punës, efikasitetit, transparencës dhe funksionalizimit të plotë të AAPSK në bazë të përvojës tetë mujore, vlerësimeve, bisedave, përvojave dhe rekomandimeve nga faktorët relevant ndërkombëtar.

Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtar

Duke marrë parasysh nevojën dhe kërkesën për ngritjen e kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit Juridik ndërkombëtarë si dhe duke i’u përshtatur kërkesave në rritje për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe rëndësinë e bashkëpunim juridik ndërkombëtar, Ministria a Drejtësisë ka themeluar, me kapacitet të plotë, Departamentin për bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Ky akt ka shtuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar me nënshkrimin e disa marrëveshjeve bilaterale në lidhje me bashkëpunimin gjyqësore me shtete të ndryshme, me qëllim që Kosova të jetë në pozicion që ti përmbushë obligimet e veta ndërkombëtare që të bashkëpunojë me shtete të ndryshme për të siguruar sundim të ligjit. Gjithashtu, funksionimi i mirëfilltë i kësaj lëmie dhe këtij departamenti do të bëjë të pamundur shtetasve të Kosovës dhe atyre të huaj për ti ikur drejtësisë, pavarësisht vendndodhjes. 

Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar ka proceduar dhe pranuar 3860 raste për ndihmë juridike ndërkombëtare të natyrave të ndryshme. Është kryer me sukses ekstradimi i 14 personave nga shtetet e huaja në Kosovë dhe anasjelltas, si dhe ka kryer transferimin e 4 personave të dënuar. Po ashtu, në këtë periudhë kohore me kërkesë të Ministrisë janë lëshuar 18 letër rreshtime ndërkombëtare ndaj personave te kërkuar ne Kosovë. 

Është me shumë rëndësi të përmendet se së voni, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar një marrëveshje teknike për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik me shtetet të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kështu, është mundësuar që të vazhdojë bashkëpunimi për çështje të rëndësishme penale me vende të treta, në drejtim të vënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë. 
 
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë  ka nënshkruar tre marrëveshjet për Ekstradim, Transferim të Personave të Dënuar; dhe Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë e Turqisë  ka nënshkruar tre marrëveshjet për Ekstradim, Transferim të Personave të Dënuar; dhe Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Gjithashtu, MD dhe MD e Irlandës përmes Ministrive të jashtme të shteteve tona përkatëse kanë themeluar bazën ligjore për të bashkëpunuar në fushën e ekstradimit. Ministria ka zhvilluar kontakte dhe takime me shtete të ndryshme për finalizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me shtete të ndryshme, si me Gjermaninë, Italinë, Slloveninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Hungarinë etj. 

Ministria e Drejtësisë ka aplikuar në Konferencën e Hagës për të drejtën ndërkombëtare private për të marrë pjesë si vëzhguese në seminaret, punimet, dhe konferencat e kësaj organizate. Gjithashtu, Ministria ka informuar këtë  organizatë për miratimin e Ligjit mbi aspektet civile kundër rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve si dhe mbi autoritetin e ri kompetent brenda Ministrisë për ekzekutimin e rasteve të tilla, dhe ka kërkuar që kjo reflektohet në ueb faqen e kësaj organizate.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Ministria e Drejtësisë ka themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Ky Institut, tashmë si institucion publik hulumtues, ka qëllim të koordinojë, përcjellë dhe kryej hulumtimin e krimeve të luftës kundër paqes, krimet e gjenocidit dhe të shkeljeve tjera të rënda të drejtës ndërkombëtare të kryera në Kosovë. Në tremujorin e parë, Ministri i Drejtësisë është përkujdesur për të arritur deri tek mbështetja e idesë dhe themelimi ligjor i saj, ndërsa gjatë tremujorit të fundit është punuar më shumë në funksionalizimin e tij, më konkretisht në emërimin e strukturave udhëheqëse të tij dhe akomodimin dhe fillimin e punës së këtij Instituti. 

Agjenda Evropiane

Përveç aktiviteteve të lartëpërmndura, të cilat lidhen dhe burojnë nga agjenda evropiane e kësaj Ministrie, zëvendëskryeministrit dhe MD, Dr. Hajredin Kuçi ka realizuar gjatë kësaj periudhe një vizitë të nivelit të lartë në Bruksel, me c’rast, gjatë takimit me komisionerë të ndryshëm dhe përfaqësues të tjerë të Unioni Evropian, ka ritheksuar përkushtimin dhe punën që Qeveria e Kosovës po bën në arritjen e qëllimeve Evropiane. 

Me qëllim sa më të mirë të koordinimit të  procesit të integrimit evropian, procesit të planifikimit strategjik dhe zhvillimit të politikave si dhe  koordinimit të  asistencës së jashtme dhe njëkohësisht duke u bazuar në Rregulloren e Qeverisë Nr. 01/2011, Ministria e Drejtësisë ka themeluar Departamentin për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave.

Mjekësia Ligjore

Gjithashtu Ministria e Drejtësisë ka bërë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të stafit të Departamentit për Mjekësi Ligjore, në një varg disiplinash si: antropologji forenzike, histopatologji forenzike, toksikologji forenzike, arkeologji forenzike, me qëllim të përafrimit me  nivel të standardeve evropiane të procedurave të autopsisë. Njëkohësisht është bërë edhe ngritja e bashkëpunimit në nivel operacional edhe me EULEX-in, kjo më së mirë është vërtetuar me faktin që për vitin 2011 së bashku me EULEX-in janë bërë të gjitha planifikimet për zhvarrime, EULEX-i gjithashtu rregullisht ka njoftuar DML për të gjitha planifikimet e ekshumimeve.  Ekspertet e EULEX-it  kanë filluar me trajnimin e Sektorit të ID-se për Njohuritë Esenciale Antropologjike. Gjithashtu se bashku me EULEX-in, janë bërë kualifikimet për trajnimin e tere stafit te DML-se përmes Grantit të dhënë nga Mbretëria e Belgjikës.

Në vizitën e fundit të bërë këtij Departamenti së voni, së bashku me Shefin e Komponentës së Drejtësisë në EULEX, Ministria e Drejtësisë është zotuar për angazhime në themelimin e një laboratori të ADN-së brenda këtij Departamenti, i cili do të ndihmojë dukshëm në përshpejtimin e hulumtimit të rasteve të ndryshme, zbulimit të rasteve të  ndryshme dhe përshpejtimin e procedurave penale në përgjegjësi pranë gjyqësorit. 

Hartimi i Planit Zhvillimor Strategjik

MD ka hartuar Planin Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016, dhe së shpejti do të procedohet për miratim në Qeveri. Në ndërlidhje me këtë dhe aktivitetet që parashihen në të, është realizuar rekrutimi i stafit të nevojshëm për MD si dhe është ne përfundim e sipër të procesit te sistematizimit te vendeve te punës. MD gjithashtu ka realizuar një sërë trajnimesh si përmes IKAP ashtu edhe përmes projektit të Binjakëzimit " Standarde te BE-se për MD" .

Ky plan parasheh disa ndryshime strukturore, të cilat janë menduar të bëhen si rezultat i përvojës dhe punës së deritashme të kësaj Ministrie, dhe gjithashtu duke i pasur parasysh raportet ndërkombëtare të hartuara për qëllim të rritjes së efikasitetit të kësaj Ministrie. Menjëherë pas miratimit të tij nga ana e Qeverisë, MD do të fillojë me zbatimin e këtyre qëllimeve dhe aktiviteteve. 

Ndër të tjera, raport i posaçëm i kushtohet bashkëpunimit me media, si të shkruara ashtu dhe elektronike, për çka Ministria e Drejtësisë u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për përcjellje të çdo aktiviteti të saj.

Sfidat qenësore të Ministrisë së Drejtësisë

Problematikë kryesore mbetet funksionimi i Gjykatave në veri. Duke pasur parasysh një sërë elementesh që ndërlidhen me këtë, qoftë politike apo edhe profesionale e personale të gjyqtarëve, MD ka hasur në një progres më të ngadaltë në këtë sferë. Megjithatë duke u ndërlidhur me vazhdën e shtrirjes së sovranitetit në veriun e Kosovës, e cila filloi me vënien në kontroll të pikave kufitare, MD dhe Qeveria e Kosovës gjithashtu ka filluar angazhimet e saj të para në aktivizimin edhe të gjykatave atje.   

Numri i madh i lëndëve të grumbulluara nëpër gjykata gjithashtu mbetet sfidë e sundimit të ligjit në përgjithësi në Kosovë. Megjithatë, në kuadër të kompetencave të saj të garantuara me ligj, MD ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t’i mundësuar gjyqësorit tonë që të zvogëlojë numrin e lëndëve të mbetura. Nga kjo mbështetje duhet të përmendet veçanërisht hartimi i Strategjisë Nacionale për Reduktimin e Lëndëve, por gjithashtu sigurimi i mbështetjes politike e edhe financiare për të ngritur kapacitetet e gjykatave në çdo aspekt. 

Të dhënat e paraqitura më lartë paraqesin vetëm disa nga të arriturat më konkrete të Ministrisë së Drejtësisë. MD mbetet e përkushtuar në përfundimin e suksesshëm të të gjitha proceseve si ligjvënëse ashtu edhe të natyrave të tjera tashmë të iniciuara nga ajo, pa lënë anash iniciativat e shumta për secilën fushë të kompetencave të saj, me qëllim të përmirësimi të sundimit të ligjit në Kosovë.