Ministrja Hoxha: Më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet

Prishtinë,   |   15/03/2017

Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin. Gjyqtari që me guxim ballafaqohet me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet, theksoi Ministrja Hoxha gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Me qëllim të njohjes me të arriturat, sfidat dhe situatën në Gjykatat Themelore, thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të ngritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka zhvilluar vizitë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është pritur nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Afërdita Bytyçi me bashkëpunëtorë.


“Nga këto vizita, kemi evidentuar të arriturat dhe sfidat e gjykatave themelore, kushteve në këto gjykata, ambientet e punës dhe çështjet që lidhen me ngritjen e performancës, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Me kënaqësi konstatoj se angazhimi dhe përkushtimi i gjykatësve për sundim efektiv të ligjit nëpër gjykatat themelore është për çdo lëvdatë”, theksoi Ministrja Hoxha.

 

Ministrja Hoxha u zotua se do të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në promovimin e të arriturave dhe avokuese e palodhshme e përmirësimit të gjendjes nëpër gjykatat themelore duke theksuar se prioriteti i qëndrueshëm është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërësinë e tij.


“Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin. Gjyqtari që me guxim ballafaqohet me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet”, theksoi Ministrja Hoxha gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.


Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi vlerësoi lartë vizitën e Ministres Hoxha dhe theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.


“Me gjithë sfidat, Gjykata Themelore e Prishtinës ka të arritura të theksueshme; me përgjegjësi është duke përmbushur misionin e vet ligjor, misionin e sundimit të ligjit, transparencës, duke kontribuar kështu në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, theksoi Kryetarja Bytyçi.


Në këtë takim është vënë dukje se procesi euro-integrues është i lidhur ngushtë me fuqizimin e sundimit të ligjit, e ky sukses është i sigurt vetëm duke zbatuar ligjin, duke siguruar bashkë-angazhimin e të gjitha instancave të sistemit të drejtësisë gjithnjë duke u bazuar, ndër të tjera, mbi parimet e transparencës dhe llogaridhënies.