Ministrja Hoxha: Miratimi i Projektligjit për Procedurën Përmbarimore i kontribuon zhvillimit ekonomik

Prishtinë,   |   18/04/2017

Ministrja Hoxha e vlerësoi si shumë të rëndësishëm miratimin e Projektligjit për Procedurën përmbarimore. “Në kuadër të të bërit biznes, vlerësimi nga Institucionet Bankare Vendore dhe Ndërkombëtare është se, përmbaruesit privat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces, dhe ne si Ministri e Drejtësisë, mbesim të përkushtuar që të ndihmojmë dhe përkrahim me procedura ligjore, njëherësh nxisim zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi Ministrja Hoxha.


Ministrja Hoxha, vlerësoi përkushtimin e stafit të Ministrisë së Drejtësisë në funksion të kompletimit dhe reformimit të infrastrukturës ligjore, si dhe adresimit të sfidave që janë hasur gjatë zbatimit të legjislacionit në fuqi. Po ashtu, Ministrja falënderoi Misionin e USAID-it dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndihmën e pakushtëzuar në procesin e reformimit të procedurës përmbarimore.


Ndryshimet kryesore që arrihen me anë të këtij Projektligji, janë forcimi i mekanizmit të mbikëqyrjes së përmbaruesve privatë, mundësinë që shpenzimet lidhur me efikasitetin e përmbarimit të përcaktohen me marrëveshje të lirë, si dhe mënyrën e sekuestrimit dhe përmbarimit në llogarinë bankare.


Ministrja Hoxha, vlerësoi po ashtu se përmes miratimit të këtij Projektligji, do të avancohet procedura përmbarimore si dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore.