Ministrja Hoxha, takoi delegacionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë

Prishtinë,   |   02/06/2017

Ministrja Hoxha fillimisht i uroi mirëseardhje delegacionit, dhe i njoftoi me aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë veçmas sa i përket procesit të rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit, si dhe procesit të rishikimit të legjislacionit për përgjegjësitë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë.

 

Ministrja Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunim shumë të mirë me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, sa i përket hartimit të legjislacionit të fushës së Drejtësisë. Procesi i rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit, proces i filluar kohë më parë, Ministrja Hoxha, theksoi fokusin e këtij procesit.


“Transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut do të jenë njëri nga fokuset që ka ky proces, puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet pasqyruar më shumë, ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë shumë të mirë, që punën e tyre e bëjnë me përkushtim dhe profesionalizëm, por ajo duhet të pasqyrohet më shumë, në mënyrë që të rritet besimi i publikut në drejtësi”, theksoi ministrja Hoxha.

Kryesuesi i delegacionit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë z. Gjin Gjoni, e falënderoi Ministren Hoxha për mikpritjen dhe e njoftoi për procesin e reformave në drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.


 Në fund të takimit Ministrja Hoxha, vuri në pah se takimet e tilla dhe bashkëpunimi në mes të institucioneve respektive, është i mirëseardhur dhe na mundëson shkëmbim të përvojave të ndërsjella.