Ministri Tahiri: Kodi Civil, pas Kushtetutës, projekti më i rëndësishëm legjislativ i Republikës së Kosovës

Prishtinë,   |   12/10/2017

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri sot ka marrë pjesë në tryezën me temën “Drejt një Kodi Civil Modern në Republikën e Kosovës” me mbështetje të Projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ministri Tahiri gjatë fjalës së tij tha se po iniciojmë konkretisht, realizimin e një prej zotimeve të mia, që qytetarët e Kosovës, organet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, shumë shpejt të kenë në dispozicion një Kod Civil që do definojë marrëdhëniet e fushës civile dhe që do të gjejë zbatim në praktikën juridike të vendit.


“Në kuadër të angazhimeve të mia institucionale dhe përgjegjësinë e hartimit dhe propozimit të politikave legjislative, më lejoni të ri-konfirmoj së hartimi i Kodit Civil, jo vetëm që është prioritet i imi, por njëkohësisht është një nga projektet më të rëndësishme legjislative, pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës” tha Ministri Tahiri. 


Ministri Tahiri po ashtu theksoi se, mbështetur në kërkesat e vazhdueshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve në funksion të harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian, kanë ardhur deri te realiteti i kombinimit të sistemeve të ndryshme ligjore dhe tek sfida për realizimin dhe zbatimin efikas të legjislacionit të kësaj fushe, e cila është kyçe për zhvillimin e duhur të rrethanave shoqërore e juridike, respektivisht të marrëdhënieve ekonomike në vendin tonë. 


“Ministria e Drejtësisë do të sigurohet që krahas idesë për t’iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve të Kosovës, do të merren për model shembujt më të mirë të fushës së drejtësisë civile të cilat do gjejnë përshtatje me kornizën ligjore, institucionale dhe rrethanat tjera të Republikës së Kosovës” tha Ministri Tahiri.


Në fund të fjalimit të tij, Ministri Tahiri ka falënderuar për punën e bërë deri më tani Komisionin Shtetëror për hartimin e draftit të Kodit Civil, duke ofruar mbështetjen e tij për periudhën vijuese dhe vendimtare gjatë këtij procesi.


“Jam i vendosur për të siguruar proces tërësisht transparent dhe gjithëpërfshirës, përmes dhënies së mundësisë që të japin kontribut profesional të gjithë akterët institucional, akademik dhe shoqëria civile, në mënyrë që ky kontribut të materializohet në një Kod Civil, i cili në të ardhmen të ketë legjitimitet dhe sukses në zbatimin e tij” tha Ministri Tahiri në mbyllje të fjalës së tij.