Projekt - Kodi Civil i Republikës së Kosovës

Ministria e Drejtësisë, në kuadër të kompletimit të infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë, si një ndër prioritetet themelore të saj e ka kodifikimin e materies së të drejtës civile.  
 
Komisioni për hartimin e draftit të Kodit Civil (Komisioni shtetëror), i themeluar me vendimin nr. 09/18 të datës 11.03.2015, në bashkëpunim me projektin e BE-së “Mbështetje në hartimin e Kodit Civil dhe rregullimin e Çështjeve Pronësore” që ka filluar të implementohet më 1 korrik 2014 dhe ka zgjatur 24 muaj, ka ndërmarrë hapat fillestar për kodifikimin e fushës së të drejtës civile.
 
Qëllimi i këtij projekti ka qenë fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë në veçanti mbështetja e Republikës së Kosovës në hartimin e Kodit Civil modern në pajtim me Acquis të BE-së dhe përmirësimin e kornizës ligjore duke përfshirë të drejtën e detyrimeve, të drejtën pronësore, të drejtën familjare dhe atë trashëgimore.
 
Gjatë 24 muajve të punës së këtij Projekti, në bashkëpunim me Komisionin Shtetëror, i cili kryesohej nga ish Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, janë realizuar aktivitetet vijuese si:

Grumbullimi i ligjeve relevante, vlerësimi i ndikimit të legjislacionit ekzistues në fushat e ndërlidhura me kodin civil, hartimi i një draft plani të përgjithshëm për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës për të identifikuar ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme.
 
Si rrjedhojë e këtyre aktiviteteve, është hartuar një draft fillestar i Kodit Civil të Republikës së Kosovës që do të shërbejë si draft fillestar në procesin e konsultimeve me akterët relevant.  

Me vendimin nr. 10/115 të datës 09.11.2016 Qeveria e autorizoi Ministrinë e Drejtësisë që të procedojë me finalizimin e Kodit Civil. Në zbatim të vendimit të qeverisë, Ministria e Drejtësisë me vendimin nr. 182/2016 të datës 28.12.2016 themeloi Grupin Punues për udhëheqjen dhe koordinimin e procesit të hartimit dhe finalizimit të Kodi Civil.
 

  • Në kuadër të grupit punues, janë themeluar edhe 4 nëngrupe tematike si: 
  • Nëngrupi tematik për hartimin e Pjesës së Përgjithshme dhe të Drejtës së Detyrimeve;  
  • Nëngrupi tematik për hartimin e të Drejtës së Pronësisë dhe të drejtave tjera sendore; 
  • Nëngrupi tematik për hartimin e të Drejtës Familjare dhe të Drejtës trashëgimore; dhe 
  • Nëngrupi tematik për hartimin e të Drejtës Ndërkombëtare Private.  

 
Me qëllim që procesi i hartimit të Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, Ministria e Drejtësisë, përmes kësaj faqe elektronike, iu ofron mundësinë të gjitha palëve të interesuara që të kenë qasje në dokumentet dhe projektet që përgatiten dhe diskutohen gjatë hartimit të kodit civil. Në këtë faqe po ashtu do të njoftohen palët e interesuara për procesin e konsultimeve publike dhe rezultatet e tyre.