Drejtësia, parakusht themelor që mundëson jetë me dinjitet

Prishtinë,   |   05/01/2018

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me Ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe kryesuesit e dy këshillave, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, ka përuruar sot objektin e ri të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri Tahiri theksoi rëndësinë e respektimit të parimeve të demokracisë, lirisë njerëzore, lirisë qytetarë dhe të drejtave të njeriut, ndër të cilat i pacenueshëm mbetet edhe parimi i dinjitetit.
 

“Në radhë të parë si qytetarë, si institucione dhe si politikë duhet t’i koncentrojmë të gjitha energjitë tona me qëllim që t’i jetësojmë këto parime në përditshmërinë tonë, në mënyrë që të njëjtat të marrin kuptim. Në këtë drejtim, drejtësia është parakusht themelor që na mundëson të gjithë neve të kemi besim në këto parime dhe t’i ruajmë s’i vlera që të na drejtojnë në raport me vetveten edhe me njëri-tjetrin” theksoi Tahiri.

Investimi i bërë në Shërbimin Korrektues të Kosovës është qenësor në sferën e Sundimit të Ligjit, andaj ministri Tahiri edhe njëherë potencoi fokusimin që ka në eliminimin e praktikave të paligjshme brenda burgjeve dhe ngritjen e përgjegjësisë  në parandalimin e dukurive negative.

“Jemi duke punuar në ofrimin e kushteve më të mira për të burgosurit, si dhe të kujdesemi për respektimin e të drejtave të tyre fundamentale pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare” tha ministri.

Ministri Tahiri në fund të fjalës së tij, potencoi se infrastruktura si objektivë nuk do të përfundoj me kaq, pasi do t’i kushtohet vëmendje secilës qendër korrektuese, për të bërë të gjitha përmirësimet e nevojshme në mënyrë që personat që janë në vuajte të dënimit, të kenë kushte të konsoliduara dhe ambient adekuat gjatë qëndrimit në këto institucione.