Ndahen certifikata për studentët e Fakultetit Juridik “Hasan Prishtina”

Prishtinë,   |   10/01/2018

Prishtinë, 10 Janar 2018 – Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj sot ka pritur në takim studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës të cilëve iu është ndarë certifikata me rastin e përfundimit të praktikës tre mujore në Ministrinë e Drejtësisë.

Me këtë rast Sekretari Marmullakaj ka falënderuar Dekanin e Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi për bashkëpunimin që kanë këto dy institucione dhe njëherit respektimin e Memorandumit të nënshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Fakultetit Juridik të Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Qëllimi i këtij programi është që të rinjtë të angazhohen drejtpërdrejt në punën praktike, me synim përmirësimin dhe avancimin e cilësisë së edukimit të lartë në fushën e drejtësisë, si dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive profesionale të studentëve. Gjatë kësaj periudhe vijuesit e këtij Programi kanë pasur mundësi që të njoftohen për së afërmi me mandatin, fushëveprimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë” tha Sekretari Marmullakaj.

Sekretari Marmullakaj ka përshëndetur entuziazmin dhe gatishmërinë e studentëve për t’u kyçur në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore, hartimin e koncept dokumenteve, dokumenteve strategjike, opinioneve, hulumtimeve, analizave dhe raporteve të ndryshme, çështje të burimeve njerëzore e të tjera.

Në anën tjetër, Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, ka falënderuar Sekretarin Marmullakaj për bashkëpunimin e deritanishëm duke e vlerësuar si tejet të rëndësishëm dhe njëherit ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.