Ministri Tahiri: Kushtetuta ka materializuar shtetin sovran të Kosovës

Prishtinë, 11/04/2018, - Ministria e Drejtësië ka shënuar sot me një pritje solemne dhjetë vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me këtë rast, ka theksuar se kjo pritje është moment reflektimi, dhjetë vjet pas miratimit të Kushtetutës.

“Natyrisht, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka përcaktuar në mes tjerash, të ardhmen demokratike dhe prosperuese të shoqërisë tonë, të ardhme që ne si bartës të funksioneve publike, politike e institucionale, e kemi për obligim ta vendosim në rrugë të drejtë dhe të sigurt” ka theksuar Tahiri. 

Ministri Tahiri gjithashtu ka potencuar se është Kushtetuta ajo që në formën dhe përmbajtjen e saj, ka materializuar shtetin sovran të Kosovës, duke vendosur bazën për paqen e qëndrueshme në mes të komuniteteve. 

“Si e tillë, ajo nuk përfaqëson vetëm formalisht aktin juridik që përcakton rendin politik, ekonomik e social, por edhe vetë identitetin e popullit tonë, që nga trajektorja historike e luftës për pavarësi, deri te e ardhmja e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe tek e ardhmja e Republikës së Kosovës, si shtet paqedashës, i integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe i përcaktuar për zhvillim demokratik e ligjor që garanton të drejtën dhe barazinë për të gjithë qytetarët e saj” ka thënë ministri Tahiri. 

Fjalë rasti në këtë ceremoni ka mbajtur edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryetarja e Gjykatës Kushtetueze, znj. Arta Rama-Hajrizi, si dhe kryeministri Ramush Haradinaj. 

Në këtë pritje, presidenti Thaçi ka dekoruar me “Medaljen Presidenciale” hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Prof.Dr. Arsim Bajrami; Prof.Dr. Gjyljeta Mushkolaj; Prof.Dr. Hajredin Kuçi; z. Ilaz Ramajli; Prof.Dr. Kadri Kryeziu, Prof.Dr. Errem Kryeziu, z.  Mahir Yagcilar, z. Ylber Hysa dhe znj.Nekibe Kelmendin (post mortem).