
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marr pjesë nё Takimin përmbyllës tё Këshillit Kombëtarë për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ku e pranishme ishte edhe Presidentja e vendit Atifete Jahjaga.
Fillimisht Ministri Kuçi nё fjalën e tij përgëzoj Presidenten Jahjaga dhe stafin e saj për punën e bërë gjatë këtyre dy viteve, por edhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera pjesë e Këshillit. “Falë kontributit dhe përkushtimit të Presidentes, sot ne kemi një realitet tjetër për sa i përket viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe kjo temë nuk është më tabu dhe e paqasëshme, tashmë viktimat e dhunës seksuale janë kategorizuar si kategori e viktimave krahas grupeve të tjera dhe gëzojnë mbështetje institucionale, por mbi të gjitha puna që Këshilli ka bërë, ka ndikuar që të sensibilizohet opinioni i gjerë edhe jashtë Kosovës se të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevojë për mbështetje morale dhe institucionale dhe duhet të ketë programe të veçanta për rehabilitim dhe reparacione, edhe pse aktivitetet në kuadër të këshillit kanë ndikuar në sensibilizimin e gjerë në mbarë botën, për të kuptuar të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës” shtoi Ministri Kuçi.
Kuçi tha se me punën që është bërë gjatë këtyre viteve është arritur qëllimi kryesorë, që edhe viktimat e dhunës seksuale të kategorizohen si viktima të krimeve të luftës dhe krahas kategorive të tjetra të gëzojnë mbështetje institucionale, materiale dhe morale.
Duke folur për angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ministri Kuçi shtoi se gjatë takimeve të Këshillit Kombëtarë, Ministria e Drejtësisë ka marrë përgjegjësinë e koordinimit të institucioneve të drejtësisë me qëllim të realizimit të një sërë aktivitetesh që do të krijojnë parakushte për qasje më të lehtë në drejtësi. Për këtë është themeluar edhe grupi punues i përbërë nga Ministria e Drejtësisë, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, EULEX-i dhe Zyra e Presidentes. Në takimet e grupit dhe nëngrupeve punuese, si dhe të gjitha aktiviteteve të realizuara ka pasur edhe përfaqësues nga Organizatat joqeveritare në mënyrë që të kontribuojnë në këtë proces nga aspekti i viktimave. Në këtë proces fillimisht është hartuar Plani Strategjik për ‘Qasjen më të lehtë në drejtësi për viktimat e dhunës Seksuale”. Në kuadër të planit janë paraparë të realizohen disa aktivitetet që do të kontribuojnë në lehtësimin e qasjes në drejtësi për këto viktima.
Fillimisht, siç edhe parashihej në plan, institucionet e prokurorisë, policisë në bashkëpunim me EULEX-in, kanë realizuar një analizë të rasteve në proces për të vlerësuar se sa nga këto raste kanë elemente të dhunës seksuale gjate luftës. Fatkeqësisht rezulton se përkundër faktit që përflitet për një numër të madh të rasteve që kanë ndodhur, të tilla janë raportuar shumë pak pranë institucioneve të drejtësisë. Andaj një ndër sfidat më të mëdha të gjyqësorit do të jetë kthimi i besimit në drejtësi tek viktimat në mënyrë që të paraqiten rastet.
Ministri Kuçi tha se mungesa e paraqitjes së rasteve, qëndron në faktin se kryesit e veprave penale kryesisht gjenden në Serbi. Duke pasur parasysh që në Kosovë nuk lejohet gjykimi në mungesë dhe Serbia nuk ekstradon qytetarët e saj, njëkohësisht mungesën e bashkëpunimit në çështjet penale, është e pamundur që personat që kanë kryer vepra penale të tilla të ndiqen penalisht dhe të sillen përpara drejtësisë. Në kuadër të planit strategjik parashihet të analizohen aspektet ligjore por dhe praktike se si mund të tejkalohen këto sfida në mënyrë që kryesit e veprave penale gjatë luftës të sillen përpara drejtësisë.
“Dëshiroj të theksoj se një ndër zhvillimet më esenciale në realizimin e planit strategjik, ka qenë edhe caktimi i dhjetë gjyqtarëve nga tërë Kosova që do të ndjekin trajnimet e specializuara për gjykim në rastet e dhunës seksuale përfshirë dhunën seksuale gjatë luftës. Ndërsa në anën tjetër në Prokurorinë Speciale tanimë është funksionalizuar Departamenti për Krime Lufte, që do të merret edhe me rastet e tilla”, tha Kuçi.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Kuçi tha se asnjëherë nuk duhet të humbet shpresa se drejtësia do të vihet në vend. Rasti më i freskët është dënimi i Karadzic, pas më shumë se njëzet viteve për krimet e kryera në Bosnje. Në Kosovë tha Kuçi, jemi munduar që të krijojmë mekanizma dhe kushte praktike për realizimin e drejtësisë, qoftë edhe përmes njohjes së vuajtjes së tyre dhe realizimit të programeve të reparacioneve dhe programeve të ndryshme sociale.