Ministri Tahiri takoi shoqërinë civile për Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale


Prishtinë, 06/06/2018 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar sot gjatë ditës përfaqësues nga shoqëria civile, me të cilët ka biseduar lidhur me  Projektligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara në Konfiskimin e Pasurisë.

 
Ministri Tahiri ka bërë të ditur se ndryshimi i Ligjit aktual është shtruar si nevojë pas vlerësimeve se nuk është zbatuar sa duhet, ndërkaq ndryshimet do të mundësojnë zbatim shumë më efikas të konfiskimit të pasurisë. 
 
“Politikat e konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, kanë pas nevojë të rishikohen, në mënyrë që shteti ynë të dëshmojë se është i gatshëm për të konfiskuar pasurinë e paligjshme si masën më reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe si sinjal se askush nuk mund ta shfrytëzojë pasurinë e përfituar me vepër penale” ka thënë ministri Tahiri. 
 
Duke folur për ndryshimet themelore në draft-ligjin e ri, ministri ka theksuar se janë larguar dykuptimësitë me normat tjera të aplikueshme siç është Kodi i Procedurës Penale, dhe po ashtu, është zgjeruar lista e veprave penale për të cilat vlen nocioni i konfiskimit, përfshirë veprat penale të korrupsionit zyrtar dhe veprat penale të ndërlidhura me detyrën zyrtare; të atyre kundër shëndetit publik, trafikimit me njerëz, skllavërisë dhe rrëmbimit, dhe ato që lidhen me pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit.
 
Ministri Tahiri ka mirëpritur komentet dhe propozimet e shoqërisë civile për këtë projektligj, të cilat do të përfshihen në procesin e mëtutjeshëm. Ministri Tahiri njoftoi pjesëtaret e shoqërisë civile se Projekt-Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe ai për mbrojtjen e sinjalizuesve do të miratohen në Qeveri në mbledhjen e ardhshme.