Ministri Tahiri: Projektligji i ri do të rris efikasitetin e prokurorëve në konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale


Prishtinë, 24/07/2018 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë vizituar sot Prokurorinë Speciale, ku janë pritur në takim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

Në takim është diskutuar për legjislacionin e ri që do të ndihmojnë Prokurorinë Speciale në luftë më efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konkretisht për Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale dhe ai për sinjalizuesit, të cilat tashmë janë miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës.

                         

“Besojmë që vitet e ardhshme do të jenë vite që do të tregojnë një efikasitet më të madh në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo që është e rëndësishme është që të rrisim efikasitetin në konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale” ka thënë ministri Tahiri.

 

Ministri Tahiri ka theksuar se raporti pozitiv i marrë nga Bashkimi Evropian, për përmbylljen e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, është motivues për punë të mëtutjeshme.

 

Pas përmbylljes së Misionit të EULEX-it, ministri Tahiri ka theksuar se do të rritet numri i prokurorëve në Prokurorinë Speciale, por edhe numri i stafit shtesë, në mënyrë që të trajtohet numri i madh i lëndëve që do të barten në këtë institucion.

 

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka theksuar se tashmë Këshilli Prokurorial i Kosovës ka filluar procedurat për avancimin e 5 prokurorëve në Prokurorinë Speciale. Ndërkaq, Kryeprokurori Reshat Millaku ka theksuar se është lajm i mirë hapja e një departamenti të veçantë tek Gjykata Themelore për gjykimin e lëndëve të Prokurorisë Speciale, që sipas tij, do të ndikoj në rritjen e efikasitetit të  prokurorëve. 

stema