Ministri Tahiri: "Drejtësia 2020" do t'i jap fund tranzicionit në sistemin e drejtësisë


Prishtine, 25/09/2018 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri , së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, në një konferencë për media, kanë prezantuar agjendën e përbashkët "Drejtësia 2020".

Ministri Tahiri ka deklaruar se pas 18 vitesh tranzicioni, agjenda e përbashkët mes tri institucioneve ka qëllim ngritjen e progresit në sistemin e drejtësisë dhe rikthimin e plotë të besimit të qytetarëve në shtetin ligjor.

"Jemi përcaktuar që viti 2020 të jetë vit në të cilin nuk do të flitet më për temat e njëjta dhe vit në të cilin drejtësia kosovare do të funksionojë me efikasitet të plotë, dhe ku sistemi ynë i drejtësisë të jetë sistem plotësisht i besueshëm, llogaridhënës, i përgjegjshëm dhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve" ka theksuar ministri Tahiri.

Koordinimi mes institucioneve, që do të bëhet duke respektuar pavarësinë e plotë, neutralitetin dhe ndarjen e pushteteve, sipas ministrit Tahiri synon që brenda dy vitesh të zgjidhen disa prej sfidave më të mëdha të sistemit të drejtësisë, nga dhënia e fund e lëndëve të vjetra, ngritja e kapaciteteve dhe profilizimi i gjyqtarëve e prokurorëve, deri tek ristrukturimi i Mjekësisë Ligjore, Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues, si dhe fuqizimit të mekanizmave të zgjidhjes alternative të kontesteve përmes profesioneve të lira.

"Ne si institucione, nuk do të rrimë indiferent për asnjë moment, dhe nuk do të lejojmë që qytetarët tanë të presin me vite të tëra për përfundimin e një procesi gjyqësor. Nuk do të rrimë indiferent dhe të shohim bizneset tona që falimentojnë duke pritur përfundimin e rasteve gjyqësore. Nuk do të rrimë indiferent në asnjë moment para adresimit të përgjegjësisë kudo që është e nevojshme.

"Drejtësia 2020", është përpjekja më serioze e institucioneve vendore për ta përmbyllur me sukses të plotë kapitullin e tranzicionit të gjatë dhe për ta forcuar shtetin ligjor aty ku e ka përcaktuar Kushtetuta, ku e kanë përcaktuar vlerat e demokracisë dhe ku e presin qytetarët tanë" ka theksuar ministri Tahiri.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka theksuar se institucionet janë më të suksesshme, më efikase dhe më të dobishme kur veprojnë në mënyrë të bashkërenduar, ndërkaq kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, theksoi se agjenda e përbashkët tregon përkushtimin për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ambasadori Amerikan Greg Delawie, për të cilën kjo ngjarje ishte paraqitja e tij e fundit zyrtare, ka theksuar se "Drejtësia 2020" nuk është obligim ligjor, por është e bazuar në dëshirën e sinqertë për të përmirësuar sundimin e ligjit,  për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

Mbështetje në zbatimin e agjendës "Drejtësia 2020", ka dhënë edhe shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, shef i Sektorit të Sundimit të Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuck si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O'Conoll.

stema