Ministri Tahiri është pritur në Departamentin e Shtetit


Washington, 05/11/2018 - Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri është pritur në Departamentin e Shtetit ku ka zhvilluar një takim me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, z. Jorgan Andrews, njëherit përgjegjës në Zyrën Kundër Narkotikëve dhe Çështjeve për Fuqizimin e Ligjit.

Gjatë takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Andrews, Ministri Tahiri ka folur për angazhimin e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve, si dhe ka shpalosur rezultatet e arritura në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, rezultate që kanë kontribuar në rritjen e sigurisë dhe në forcimin e pozitës së Republikës së Kosovës në rrafshin e partneritetit rajonal dhe global në luftën kundër krimit të organizuar.

 

Tahiri ka vlerësuar se Republika e Kosovës çdo ditë po konsolidon pozitën e vet në rang lideri rajonal dhe më gjerë në luftën kundër narkotikëve, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. 
 
Gjatë takimit, ministri Tahiri ka shpalosur objektivat dhe masat e parapara në Agjendën “Drejtësia 2020” në të cilën janë paraparë masa për modernizimin e Shërbimit Korrektues dhe zhvillimin e programeve për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar, me ç ‘rast ka kërkuar zgjerimin e mbështetjes nga Zyra Kundër Narkotikëve dhe Çështjeve për Fuqizimin e Ligjit. 

Ministri Tahiri ka falënderuar z. Andrews për mbështetjen e Departamentit të Shtetit, me theks të veçantë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it, të cilat janë të angazhuara në programin legjislativ dhe në fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Po ashtu, Ministri Tahiri ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore në kuadër të Departamentit të Shtetit, zonjën Susan Falatko, me të cilën kanë biseduar për zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, si dhe për reformat institucionale në sektorin e sundimit të ligjit.


 

stema