Ministrja Haxhiu: Kërkesat e familjarëve të të pagjeturve do të jenë zëri ynë institucional


Prishtinë, 10/02/2020 - Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka pritur në takim përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave” të kryesuara nga znj. Nysrete Kumnova.

Në takim ministrja Haxhiu ka dëgjuar për së afërmi shqetësimet e nënave lidhur me çështjen e të pagjeturve si dhe kërkesat të cilat ato i kanë adresuar edhe në nivel qeveritar.

Padyshim, për ministren Haxhiu kjo mbetet një ndër çështjet më serioze të pazgjidhura dhe për këtë ajo është zotuar për të ofruar mbështetje institucionale përfshirë këtu edhe adresimin e krimeve të luftës tek institucionet kompetente. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar lartë përpjekjet e nënave, angazhimin e tyre dhe çdo aktivitet të ndërmarrë me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Si Ministre e Drejtësisë do të angazhohem me përkushtim maksimal në adresimin e çështjes së të pagjeturve, në koordinim të plotë me Shoqatën ‘Thirrjet e Nënave’ dhe institucionet tjera relevante me qëllim që të kemi rezultate në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, që të kompensohen dëmet e luftës si dhe kriminelet të dalin para drejtësisë”.

Ministrja Haxhiu po ashtu u zotua se do të përkujdeset që familjeve të të pagjeturve t’i ofron  mbrojtje ligjore duke i garantuar se kjo do të ndodha gjatë mandatit të saj.

Zonja Kumnova e ka falënderuar ministren për gatishmërinë dhe vullnetin e saj për t’i trajtuar me seriozitet kërkesat e tyre.

 

stema