Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Ministrja Haxhiu viziton të burgosurat në Qendrën Korrektuese në Lipjan


Prishtinë, 09/03/2020 - Sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, vizitoi Qendrën Korrektuese në Lipjan, me ç'rast takoi stafin korrektues si dhe gratë që vuajnë dënimin dhe ato që mbahen në paraburgim.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi me prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë me theks të veçantë zbatimin e të drejtave të të burgosurave ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ministrja Haxhiu dëgjoi nga afër edhe shqetësimet e grave të burgosura që kishin të bënin që nga paneli për lirim me kusht, te mungesa e arsyetimeve për refuzimet apo arsyetimet standarde e deri te mospërfshirja e grave në amnisti nga Presidenti. Disa nga shqetësimet tjera ende mbeten punësimi, klasifikimi, nevoja për burg gjysmë të hapur, pastaj pakot e ushqimit dhe nevoja e shtimit të ditëve të vikendit.

Ministrja Haxhiu theksoi përkushtimin e saj për adresimin e shqetësimeve brenda përgjegjësive kushtetuese e ligjore si dhe adresoi nevojën e programeve për risocializim e riintegrim.

 

 

 

 

stema