Ministrja e Drejtësisë mbanë takimin e Komitetit Drejtues të RFSSL-së


Prishtinë, 11/03/2020 - Ministria e Drejtësisë sot ka mbajtur takimin e Komitetit Drejtues të procesit të Rishikimit Funksional për Sektorin e Sundimit të Ligjit. RFSSL është nismë reformuese e Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe akterët kyç të sektorit, për të siguruar një vizion gjithëpërfshirës dhe të konsoliduar të sundimit të ligjit, për të ngritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në fjalën e saj hyrëse Ministrja Albulena Haxhiu potencoi se që nga ardhja në krye të Ministrisë së Drejtësisë është njoftuar më detajisht mbi të gjeturat dhe rekomandimet e këtij procesi dhe ka shprehur gatishmërinë që të vazhdohet drejt kurorëzimit të këtij procesi me draftimin e Strategjisë.

Tutje Ministrja Haxhiu theksoi që është synim i të gjithëve që ky proces, përmes masave të qarta dhe të mirëmenduara, të sigurojë mbarëvajtjen e sektorit të Drejtësisë dhe të rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, si i mandatuar për ta koordinuar dhe udhëhequr këtë proces prezantoi përmbledhjen e shkurtër të procesit me të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga faza e dytë.

Komiteti Drejtues, i kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë, përbëhet nga përfaqësues të KGJK-së, KPK-së, Zyrës se Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Finance, Zyrës së Presidentit dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Përveç anëtarëve të Komitetit Drejtues, në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, Ambasadën Britanike dhe USAID-in.

Në takimin e sotëm Komiteti Drejtues i ka miratuar 16 dokumentet e politikave që identifikojnë sfidat kyçe dhe rekomandimet përcjellëse për t’i adresuar ato, si dhe kanë dhënë dritën e gjelbër për hartimin e Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit.
Anëtarët e Komitetit Drejtues u dakorduan gjithashtu lidhur me hapat e mëtutjeshëm për finalizimin e procesit të Rishikimit Funksional.

stema