Ministri Selimi: Kosova e përkushtuar për ngritjen e standardeve në institucionet korrektuese


Prishtinë, 16/10/2020 - Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur sot në takim delegacionin e Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit (CPT), prirë nga Kryetari Mykola Gnatovsky.

Fillimisht, Ministri Selimi u njoftua për observimet dhe të gjeturat kryesore të CPT-së gjatë vizitës së tyre në institucionet korrektuese të Kosovës.

Ministri Selimi, duke i falënderuar për vizitën dhe bashkëpunimin konstruktiv përgjatë këtyre viteve, ka potencuar se të gjitha vëzhgimet objektive do të adresohen dhe do të përfshihen në strategjinë për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Kosova është e angazhuar në vazhdimësi dhe ka dëshmuar përkushtim të qëndrueshëm për të parandaluar praktikat negative në të gjitha rrethanat në institucionet korrektuese, ka të përfshira të gjitha standardet në legjislacionin e saj, konform atyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të siguruar kushte dhe trajtim njerëzor për personat që bien ndesh me ligjin”, tha ministri Selimi.  

Kryetari i Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit (CPT), z. Gnatovsky, vlerësoi se që nga vizita e fundit e CPT-së në vitin 2015 në Kosovë, ka pasur zhvillime pozitive, si dhe është bërë shumë progres substancial në ngritjen e standardeve, përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në burgje dhe kushteve të të burgosurve.

stema