Themelimi i Gjykatës Komerciale, si një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja


Prishtinë, 16/10/2020 - Projektligjit për Gjykatën Komerciale, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, tashmë është një hap drejtë finalizimit, duke përfunduar kështu edhe fazën e konsultimeve publike më 15 tetor 2020.

Ministria e Drejtësisë falënderon të gjitha institucionet, bizneset dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe profesionistë të fushës për angazhimin e tyre në ofrimin e komenteve dhe sugjerimeve, në mbështetje të reformës për drejtësi komerciale. Komentet e pranuara do të analizohen dhe do ta udhëzojnë grupin punues gjatë procesit të finalizimit të Projektligjit.

Projektligji për Gjykatën Komerciale, zbaton modelin e përcaktuar në Koncept Dokument i zhvilluar përmes një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimesh gjatë vitit 2019 dhe i miratuar nga Qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti.

Gjykata Komerciale do të shërbejë si adresë e vetme dhe e konsoliduar për zgjidhjen e të gjitha kontesteve mes bizneseve në kohë të shpejtë dhe duke ndarë drejtësi të kualitetit të lartë. 

Si gjykatë e specializuar, Gjykata Komerciale pritet që të përbëhet nga gjyqtarë të cilët kanë njohuri dhe ekspertizë në fushën komerciale. Një gjykatë e specializuar, e menaxhuar mirë dhe me gjyqtarë dhe staf të kualifikuar, është e domosdoshme për zgjidhjen e kontesteve biznesore në një kohë të arsyeshme. 

Kjo reformë do të krijojë një sistem për zgjidhjen e kontesteve ndërmjet bizneseve që bazohet në ofrimin efikas të shërbimeve. 

Gjykata Komerciale do ta ngritë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të krijojë një klimë më të mirë për investime. 

 

stema