Shërbimit Korrektues do t’i kthehet dinjiteti dhe ligjshmëria


Prishtinë, 14/09/2021 - Në kuadër të angazhimeve për finalizimin e pakos së projektligjeve të Shërbimit Korrektues, Shërbimit Sprovues si dhe Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me bashkëpunëtorë takoi Kryetarin e Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Zenun Sadikaj, së bashku me anëtarin e Kryesisë, Frashër Rracaj.

Me këtë rast, ministrja Haxhiu theksoi se pakoja e projektligjeve është drejt finalizimit dhe se përmes projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, i cili po bëhet për herë të parë, ky institucion si dhe stafi korrektues do ta kenë trajtimin adekuat, trajtim ky i cili ka munguar tash e sa kohë, andaj Shërbimit Korrektues do t'ia kthejmë dinjitetin dhe ligjshmërinë.

Ministrja Haxhiu theksoi se tashmë janë adresuar kërkesat që Shërbimi Korrektues në kuadër të Ligjit për zyrtarët publik ta ketë trajtimin e merituar si institucion i sigurisë, për çka po angazhohemi së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme që kjo çështje të adresohet.

Ministrja Haxhiu i siguroi krerët e Sindikatës se të gjitha kërkesat e ligjshme dhe të arsyeshme do të adresohen, duke përfshirë çështjen e pensionimit të stafit korrektues, e cila do të adresohet përmes skemës së veçantë pensionale të financuar nga shteti.

Pakoja e projektligjeve për Shërbimin Korrektues, Shërbimin Sprovues si dhe Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, sapo të merren deklaratat përkatëse do të procedohet për shqyrtim dhe aprovim në Qeveri.

stema