Miratohet në Qeveri Projekt-ligji për Pronën Publike


Prishtinë, 12/01/2022 - Sot në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paraqiti për shqyrtim dhe miratim Projekt-ligjin për Pronën Publike.

Ky Projekt-ligj ka për qëllim rregullimin e të drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale, përmes së cilës përcaktohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve që ushtrojnë autorizime ose që administrojnë pronën publike.

Çështja e pronave publike është e paraparë edhe me Kushtetutë, me legjislacionin e BE-së, dhe Konventat ndërkombëtare, mirëpo deri tani nuk ka qenë e rregulluar me dispozita të veçanta.

Projektligji për pronën publike ndër të tjera synon të rregullojë çështjet si në vijim:

· Rregullimi dhe përcaktimi i të drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale;

· Përcaktimi i parimeve të administrimit me pronën publike në pikëpamje të disponimit, shfrytëzimit, menaxhimit, mbrojtjes, mbikëqyrjes, vlerësimit dhe evidentimit të sendeve dhe të mirave tjera në pronësi publike

· Përcaktimi i objektit të pronës publike.

· Themelimi i një institucioni kompetent për mbikëqyrjen dhe administrimin e pronës publike nga organet e pushtetit qendror.

Pas hyrjes në fuqi të tij, i njëjti do të prodhojë efekt tjetër të rëndësishëm, sikurse që do të ndalojë mundësinë e fitimit të pronësisë në pronat publike përmes parashkrimit fitues si dhe me ndërtimin e objektit, në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.

stema