Nënshkruhen Marrëveshjet e Partneritetit mes ANJF-së dhe OJQ-ve, Ministrja Haxhiu: Kjo nismë zgjeron shtrirjen e ofrimit të ndihmës juridike falas


Prishtinë, 29/03/2024 - Janë nënshkruar Marrëveshjet e Partneritetit mes Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe Organizatave Joqeveritare, të cilat marrëveshje do të ofrojë shërbime të ndihmës juridike falas ndaj grupeve të ndryshme shoqërore me fokus të veçantë kategoritë e cenueshme në gjithë vendin.

E pranishme në këtë ceremoni ishte Ministrja Albulena Haxhiu e cila në fjalen e saj theksoi se partneriteti mes ANJF-së dhe organizatave të shoqërisë civile i mundëson Ministrisë së Drejtësisë të zgjerojë shtrirjen e shërbimeve të ndihmës juridike falas në zonat më rurale dhe tek shtresat më të margjinalizuara të vendit.

Tutje ministrja Haxhiu tha se sot, me nënshkrimin e këtyre Marrëveshjeve të Partneriteti po jetësohet Rregullorja për Përcaktimin e Kritereve për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas nga Organizatat Jo Qeveritare në Partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas e cila ishte nismë e Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të transformimit të sistemit të ndihmës juridike falas.

Ministrja Haxhiu shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për punën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas por edhe për bashkëpunëtorët të cilët me angazhimin e tyre po i kontirbuojnë çasjes në drejtësi.

stema