Fillon puna për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Ndërmjetësim


Prishtinë, 15/05/2024 - Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punuese për hartimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Ndërmjetësim, proces ky i cili do të paraqes një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit të drejtësisë, rritjes së besimit të qytetarëve në drejtësi, zgjidhjes alternative të kontesteve dhe do ndikoj në përmirësimin e standardeve të cilësisë dhe aftësive profesionale të ndërmjetësuesve.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Sallahu tha se një nga temat kryesore që është diskutuar si nevojë e ndryshimit të Ligjit, ka qenë rregullimi i bazës ligjore, heqja e licencës së ndërmjetësuesve nga Ministria e Drejtësisë dhe profilizimi i Ndërmjetësuesve në fusha të caktuara.

Tutje ai tha se së bashku do të vazhdohet puna deri ne përmbylljen e fazës së reformimit të institutit të ndërmjetësimit duke identifikuar nevojave për ndryshim dhe, rrjedhimisht, hartimin e një drafti te Ligjit, të cilin do të procedojmë në afat të përshpejtuar për tu votuar në Kuvend.

Në fund zëvendësministri Sallahu falënderoi programin FMCS nga Ambasada Amerikane për kompetencat e nevojshme për të garantuar cilësinë dhe integritetin e profesionit të ndërmjetësimit si dhe të gjithë anëtarët e grupit punues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Akademia e Drejtësisë, Oda e Ndërmjetësuesve dhe USAID.

stema