Miratohen në Qeveri propozim vendimet e Ministrisë së Drejtësisë përmes së cilave kërkohet nga Presidentja dhënia e autorizimit për nënshkrimin e tri marrëveshjeve me Suedinë


Prishtinë, 28/08/2024 - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, propozoi për shqyrtim dhe miratim propozim – vendimet për të kërkuar nga Presidentja dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë Juridike të Ndërsjellët në Çështje Penale, asaj për Ekstradim si dhe Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.

Marrëveshja e parë, përkatësisht ajo për Ndihmë Juridike të Ndërsjellë në Çështjet Penale synon krijimin e një baze ligjore dypalëshe që do të thellojë bashkëpunimin dhe do të harmonizojë procedurat për ndihmë juridike mes dy vendeve, duke garantuar një bashkëpunim më efektiv. Në anën tjetër, Marrëveshja për Ekstradim përmban rregullime të hollësishme për procedurat që do të ndiqen nga momenti i parashtrimit të kërkesës për ekstradim deri në dorëzimin e personit të ekstraduar, në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane për trajtimin e kërkesave për ekstradim.

Ndërsa, Marrëveshja për Transferimin e Personave të Dënuar me Qeverinë e Mbretërisë së Suedisë, mes tjerash, ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe rehabilitimin social të personave të dënuar, duke lejuar transferimin e tyre për ekzekutimin e dënimeve në shtetin e vendbanimit të përhershëm.

Marrëveshjet e tilla, janë edhe një hap tutje më avancimin dhe thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimin me shtete të ndryshme të Evropës dhe me gjerë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson se këto vendime janë hapa të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe garantimin e drejtësisë në përputhje me standardet më të larta. Pas marrjes së autorizimit nga Presidentja, Marrëveshjet do të nënshkruhen dhe do të hyjnë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjatë muajit shtator (përkatësisht më 25 shtator), pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla ndërmjet të dyja vendeve.

Në këtë Mbledhje të Qeverisë, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës ka paraqitur për shqyrtim dhe aprovim propozim-vendimin për emërimin e Komisionit ad-hoc të Pranimit për Kategorinë e Lartë Drejtuese: Drejtor (Ekzekutiv) i Përgjithshëm në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.

stema