Filloi Punëtoria treditore e Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Avokatinë


Prishtinë, 29/08/2024 - Sot, ka filluar punëtoria treditore e Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Avokatinë, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me OSBE-në.

Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Vigan Qorrolli, po e kryeson në këtë punëtori, ku po diskutohet për ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Avokatinë. Në këtë takim po marrin pjesë gjithashtu, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Besnik Berisha, përfaqësues nga Këshilli Prokurorial, Shoqëria Civile, Oda e Përmbaruesve Privat, Universiteti i Prishtinës, përfaqësues të OSBE-së dhe partnerë të tjerë institucionalë.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri Qorrolli theksoi rëndësinë e rekomandimeve të dala nga vlerësimi i raportit të Qeverisë, ku janë propozuar disa ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Avokatinë. Ai foli për domosdoshmërinë e përcaktimit të qartë të dispozitave ligjore për organet e Odës së Avokatëve dhe kompetencat e tyre, obligimin ligjor për nxjerrjen në afat të akteve nënligjore dhe publikimin e tyre për konsultime publike, si dhe përmirësimet e nevojshme në kushtet për hyrje dhe ushtrimin e profesionit të avokatisë.

Gjithashtu, Zëvendësministri Qorrolli diskutoi për përmirësimin e kornizës nënligjore dhe institucionale për ndihmën juridike pa pagesë dhe avancimin e masave mbrojtëse për të siguruar pacënueshmërinë e zyrës së avokatit.

stema