Ministrja Haxhiu priti në takim zyrtar homologun nga Republika e Maltës


Prishtinë, 19/09/2024 - Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti sot në takim homologun e saj nga Malta, z. Jonathan Attard, i cili ishte i shoqëruar nga Ambasadorja e Maltës në Kosovë, znj. Juliana Scerri Ferrante.

Ky takim përfaqëson një tjetër hap përpara në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, duke u fokusuar në çështjet kyçe të drejtësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë takimit, Ministrja Haxhiu ndau arritjet e rëndësishme të Ministrisë së Drejtësisë gjatë këtij mandati, duke theksuar reformat e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e institucioneve të drejtësisë.

Ajo gjithashtu nënvizoi sfidat e vazhdueshme që kanë shoqëruar këto reforma, përfshirë nevojën për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Z. Attard shprehu mirënjohjen për përpjekjet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe ofroi përvojat e Maltës në forcimin e institucioneve demokratike, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Të dy palët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës për të adresuar sfidat e përbashkëta, si dhe nevojën për të bashkëpunuar më ngushtë në nivel ndërkombëtar.

Palët u dakorduan për krijimin e mekanizmave më të fortë bashkëpunimi, që do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta në forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e demokracisë në të dy vendet.

stema