Mbahet mbledhja e V-të e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore


Prishtinë, 30/09/2024 - Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në cilësinë e Koordinatores Nacionale, sot ka mbledhur anëtaret e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Haxhiu tha se ky është takimi i V-të i Grupit Ndërministror, edhe pse parashihej që të jenë tri mbledhje në vit.

“Angazhimi ynë ndërinstitucional është jashtëzakonisht i rëndësishëm andaj edhe dinamika jonë e punës është më madhe”, tha ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tregoi për veprimet e ndërmarra gjatë këtij viti si: pilotimi i Programit për trajtimin e kryerësve të dhunës, ofrimi i ndihmës juridike falas për 106 rast të dhunës në familje, zbatimi i aktiviteteve të Strategjisë prej 48 për qind, ndarja e dy pronave të konfiskuara për rastet e dhunës, lansimi i Masës së Punësimit për gratë viktima të dhunës, dhe realizimi i hulumtimit mbi perceptimin e dhunës me bazë gjinore dhe femicidit në shoqërinë tonë.

Tutje, ministrja Haxhiu tha se janë drejt finalizimit të gjashtë Udhëzimeve Administrative që dalin si obligim nga Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me bazë Gjinore, krijimi i linjës së raportimit falas si dhe është duke u punuar për nisjen e Fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Në fund, ministrja Haxhiu tha se angazhimi i përbashkët në këtë kauzë është thelbësoer për ndërtimin e një shoqërie ku çdo individ ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar.

stema