Mbahet Ministeriali i BE-së për drejtësi dhe punë të brendshme me vendet e Ballkanit Perëndimor
Prishtinë, 29/10/2024 - Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, po merr pjesë në Ministerialin e BE-së për drejtësi dhe punë të brendshme me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Budva të Malit të Zi.
Në sesionin e dytë të këtij forumi, ku po flitet për drejtësinë në epokën digjitale dhe bashkëpunimin nder kufitar në çështjet penale, zëvendësministri Qorrolli tha se progresi i Republikës së Kosovës në përmirësimin e qasjes në drejtësi përmes digjitalizimit ka qenë i rëndësishëm ku përmes platformës SMIL, është synuar të rritet efikasiteti, transparenca, dhe llogaridhënia në të gjithë gjyqësorin.
Lidhur me bashkëpunimin ndër-kufitar në çështje penale, zëvendësministri Qorrolli tha se Kosova është thellësisht e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të viktimave në rastet ndërkufitare dhe kompensimin e viktimave, ndërsa kërkoi harmonizim më të madh ligjor në bashkëpunimin ndërkufitar.
Në Forum, zëvendësministri Qorrolli edhe njëherë theksoi rëndësinë e njohjes së Republikës së Kosovës edhe nga vendet pjesëmarrëse në forum, në këtë rast Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Ndërsa lidhur me sulmin terrorist në Banjskë vitin e kaluar, Qorrolli shtoi se Republika e Kosovës është i vetmi vend i cili duhet të hetojë dhe zhvillojë procesin gjyqësor ndaj Milan Radojiciq dhe grupit terrorist të përfshirë në sulmin e tillë, duke kërkuar edhe një herë nga Serbia që t’i ekstradojnë ata në Kosovë.