Deklaratë e Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri

Prishtinë,   |   16/01/2018

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dënon atentatin që la të vdekur politikanin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Asgjë nuk mund të arsyetoj dhunën dhe veprat penale, pavarësisht se nga kush apo ndaj kujt manifestohen. Akti i vrasjes së politikanit serb nga Kosova, z. Oliver Ivanoviq, është absolutisht i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm për shoqërinë tonë, prandaj, veprime të tilla meritojnë një përgjigjeje të menjëhershme.

Të gjitha institucionet përgjegjëse që sigurojnë rendin dhe ligjin duhet të veprojnë dhe të jenë të pa kompromis në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësit e këtij akti të përballën me drejtësinë. Andaj kam kërkuar nga autoritetet përkatëse që në përputhje me kompetencat dhe detyrimet ligjore të realizojnë sa më shpejtë që është e mundur, hetime gjithëpërfshirëse ndaj këtij akti të tmerrshëm, me qëllim që ky rast të ndriçohet sa më parë dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, kërkoj nga qytetarët që posedojnë informata, të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe ligjit në mënyrë që të zbardhet ky rast dhe autorët përgjegjës të marrin dënimin e merituar.

Duke shprehur ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit, kërkoj nga qytetarët që sulmi i sotshëm në asnjë rrethanë mos të ndikojë në frymën e bashkëjetesës shumetnike  në Republikën e Kosovës.