Ministri Tahiri: Kosova, i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që kompenson viktimat e krimit 

Prishtinë, 22/02/2018, - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në shënim të Ditës Evropiane të Viktimave të Krimit.  


Duke qenë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka Ligj për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ministri Tahiri ka shprehur përkushtimin e tij për të ndihmuar qytetarët që janë viktima të krimit në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim. 

“Konsideroj se drejtësia nuk mund të arrihet nëse viktimat harrohen apo nuk trajtohen në mënyrë të drejtë; për këtë qëllim sistemi jonë i drejtësisë po transformohet çdo ditë duke vënë në qendër mbrojtjen e viktimës” ka thënë ministri Tahiri. 

Ministri Tahiri ka falënderuar anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit për punën që e kanë bërë, duke  i siguruar se baza ligjore e këtij programi siguron qëndrueshmëri financiare dhe institucionale, duke marrë parasysh se fondi për kompensim të viktimave vjen nga të hyrat e taksave gjyqësore dhe prokuroriale, dhe për vitin 2018 janë ndarë 87 mijë euro që shfrytëzohen ekskluzivisht për kompensim të viktimave.  

“Ne asnjëherë nuk mund ta kompensojmë vuajtjen e viktimave por duhet të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat për të minimizuar vuajtjet e tyre që kanë përjetuar gjatë dhe pas krimit” ka thënë Tahiri. 

Nga ana e saj, Nesrin Lushta, si kryesuese, bëri të ditur se Komisioni është funksional nga prilli i vitit të kaluar, dhe se qëllim kryesor të punës së tyre kanë që viktimat të trajtohen pa diskriminim, por me respekt dhe dinjitet.