- Ndërmjetësimi i detyrueshëm
- Rastet Civile
- Rastet Penale
Dispozitat e Ligjit për Ndërmjetësim zbatohen në procedurën e ndërmjetësimit në marrëdhëniet kontestuese të subjekteve të së drejtës në raportet juridiko-pasurore, tregtare, familjare, të punës, rastet tjera të kontesteve nga e drejta pronësore, siç janë të drejtat që kanë të bëjnë me fitimin e të drejtave pronësore përmes marrëdhënieve kontraktuale apo të fituara përmes trashëgimisë, procedurat e falimentimit, raporte të tjera civile, administrative dhe penale, në të cilat palët lirisht mund të disponojnë vullnetin e tyre të lirë, në rast se me ligj të veçantë nuk është paraparë përgjegjësia ekskluzive e gjykatës, prokurorisë apo e një organi tjetër kompetent.
Ndërmjetësimi dhe procedura e ndërmjetësimit nuk zbatohet për rastet që kanë të bëjnë me dhunën në familje, në pajtim me Ligjin kundër Dhunës në Familje ose për çdo mosmarrëveshje për të cilat është paraparë përgjegjësia ekskluzive e gjykatës apo ndonjë organi tjetër kompetent. Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet në rastet ku parashihet dënimi me gjobë dhe dënimi me burgim deri në tri (3) vjet.
Ndërmjetësimi aplikohet në marrëdhënie të natyrave të ndryshme kontestuese por nuk kufizohet në llojet e kontesteve si në listat në vazhdim.
Ndërmjetësimi i detyrueshëm është lloj i procesit të referimit vetëm nga gjykatat dhe vlen vetëm për lloje të caktuara të rasteve të së drejtës familjare dhe të së drejtës pronësore. Në raste të tilla, nëse gjykatësi/gjykatësja, nën diskrecionin e tij apo saj, beson që mosmarrëveshja mund të zgjidhet me ndërmjetësim, do të udhëzojë palët që të mbajnë një takim fillestar me ndërmjetësuesin dhe të diskutojnë nëse palët do të provojnë ndërmjetësimin e mosmarrëveshjes. Palët janë të lira që të refuzojnë ndërmjetësimin pas takimit fillestar me ndërmjetësuesin. Megjithatë, nëse palët zgjedhin që të mos provojnë ndërmjetësimin, ato duhet të provojnë për të paktën 30 ditë nga dita që gjykatësi ka referuar rastin për ndërmjetësim para se të vazhdojnë me procedurat gjyqësore.
Llojet e kontesteve për të cilat duhet të zbatohet ndërmjetësimi i detyrueshëm janë:
- kontestet nga marrëdhëniet familjare lidhur me rastet nga alimentacioni, -
- kujdestaria,
- kontaktet dhe mbajtja e fëmijës,
- ndarja e pronës së përbashkët martesore,
- kontestet pronësore që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet nga të drejtat e servituteve,
- kompensimi i pronës së shpronësuar.
Lëndët e përshtatshme për ndërmjetësim nga e Drejta Civile
Aplikimi i ndërmjetësimit në rastet civile paraqet ndër rastet më të përshtatshme për t’u ndërmjetësuar. Në raste të këtilla e që nuk kufizohen, palët kanë mundësin t’i drejtohen drejtpërsëdrejti zyrave të ndërmjetësimit apo ndërmjetësuesve për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre pa pasur nevojë t’i drejtohen gjykatës. Mirëpo, edhe nëse rastet veqse gjendën në gjykata palët kanë mundësinë ta zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre përmes ndërmjetësimit duke i propozuar gjyqtarit referimin e rastit në ndërmjetësim.
Marrëdhëniet kontestuese në raportet civile, mund të jenë por nuk kufizohen në:
- Kontestet lidhur me fitimin dhe humbjen e të drejtës së pronësisë në sendet e luajtshme dhe të paluajtshme
- Kontestet lidhur me mosrespektimin e të drejtës së parablerjes
- Kontestet lidhur me bashkëpronësinë
- Kontestet lidhur me pronësinë e përbashkët
- Kontestet lidhur me Posedimin dhe bashkëposedimin
- Kontestet lidhur me pengim posedimin
- Kontestet lidhur me marrëdhëniet juridike reciproke të pronarëve të njësive të ndërtesës
- Kontestet lidhur me të drejtën fqinjësore, si: Detyrimi për përkujdesje, Ngatërrimi i kufirit, Shënimi dhe instalimet e kufirit, Pema në kufi, Imisione, Frutat, Degët dhe rrënjët, Hyrja e domosdoshme për marrjen e kafshëve, Kalimi i domosdoshëm, E drejta e kalimit për ndërtesa, Shfrytëzimi i përkohshëm i një paluajtshmërie fqinje, Shembja e një ndërtese, Ndërtimi përtej vijës së kufirit, Mihja rrezikuese, Rrjedha e ujit.
- Kontestet lidhur me mbrojtjen e pronësisë, si: Kërkesa e pronarit për kthimin e sendit nga poseduesi pa të drejtë posedimi, Kërkesa e pronarit kundër poseduesit me mirëbesim, Kërkesat e poseduesit me mirëbesim nga pronari, Kërkesat e pronarit kundër poseduesit me keqbesim, Kërkesat e poseduesit me keqbesim nga pronari, Kërkesa për largimin dhe mos-përsëritjen e cënimit të pronësisë dhe farëdo cënimi të posedimit apo përdorimit të së drejtës së pronësisë mbi një send
- Kontestet lidhur me servitutet
- Kontestet lidhur me barrën sendore
- Kontestet lidhur me të drejtën e ndërtimit
- Kontestet lidhur me mospërmbushjen ose përmbushjen e pjesshme të kontratave
- Kontestet lidhur me kompenzimin e dëmit material dhe jomaterial
- Kontestet lidhur me shpërblimi në formë të rentës në të holla
- Kontestet nga e drejta e banimit
- Kontestet lidhur me administrimin e pasurisë së fëmijës nga njëri prind, të cilit i është besuar rritja dhe edukimi i fëmijës
- Kontestet lidhur me pasojat personale e pasurore ndërmjet bashkëshortëve pas zgjidhjes së martesës
- si dhe konteste të tjera që vlerësohen të përshtatshme për ndërmjetësim
Lëndët e përshtatshme për ndërmjetësim nga e Drejta e Punës
Kontestet nga marrëdhënia e punës mund të referohen në procedurën e ndërmjetësimit sipas vlerësimit të gjykatës dhe pajtimit të palëve në kontest. Disa nga lëndët nga marrëdhënia e punës të cilat mund të referohen, por që nuk kufizohen, për zgjidhje përmes ndërmjetësimit janë:
- Kontestet lidhur me diskriminimin në punë mbi çfarëdo baze dhe mobingun
- Kontestet lidhur me kompenzimin e pagave
- Kontestet lidhur me kompenzimin e përfitimeve dhe shpërblimeve tjera në punë mbi bazën e trajtimit të barabartë të të punësuarve
- Kontestet lidhur me kompenzimin e dëmit material dhe jomaterial për lëndimet në punë, përfshirë fitim e humbur dhe rentën
- si dhe konteste të tjera që vlerësohen të përshtatshme për ndërmjetësim.
Lëndët e përshtatshme për ndërmjetësim nga e Drejta Tregtare
Kontestet tregtare mund të referohen në procedurën e ndërmjetësimit sipas vlerësimit të gjykatës dhe me pajtimin e palëve në kontest. Disa nga kontestet tregtare të cilat mund të referohen, por që nuk kufizohen, për zgjidhje përmes ndërmjetësimit janë:
- Kontestet e shkaktuara nga konkurrenca e ndershme ose e pandershme
- Kontestet lidhur me mospërmbushjen e kontratave tregtare të lidhura mes personave fizikë dhe juridik (me përjashtim të kontratave publike)
- Kontestet që rrjedhin nga funksionimi dhe mbarëvajtja e shoqërive tregtare. Në këtë kategori përfshihen të gjitha mosmarrëveshjet e krijuara për shkak të vendimmarrjeve në organet drejtuese të tyre, apo ato që vijnë për shkak të marrëdhënieve të ortakëve/aksionerëve
- Kontestet lidhur me kompensimin e dëmit material dhe jomaterial
- Kontestet lidhur me kontratat e sigurimeve
- Kontestet që rrjedhin nga kontratat e kredisë (riprogramimi, kamata e kundërligjshme, garancionet bankare)
- Kontestet lidhur me markat tregtare
- si dhe konteste të tjera nga e drejta tregtare që kualifikohen si të përshtatshmë për ndërmjetësim.
Lëndët e përshtatshme për ndërmjetësim nga e Drejta Administrative
Çështjet nga e drejta administrative mund të referohen në procedurën e ndërmjetësimit sipas vlerësimit të gjykatës dhe me pajtimin e palëve. Kategoria e lëndëve/konflikteve administrative të cilat mund të referohen, por që nuk kufizohen, për zgjidhje përmes ndërmjetësimit janë:
- Rastet që kanë të bëjnë me ekzekutimin e aktit administrativ ose afateve për kryerjen e obligimeve inidividuale.
- Çështjet që kanë të bëjnë me kërkesëpaditë të cilat janë paraqitur së bashku me kërkesëpadinë kryesore si kërkesa aksesore për kthimin e sendeve të marra ose kompenzimin e dëmit.
- Kontestet lidhur me lartësinë e kompensimit të dëmit, heqjen dorë nga kompensimi I dëmit, afatet për kthimin e sendeve, heqjen dorë nga kthimi i sendeve, etj.
- si dhe raste tjera administrative që vlerësohen të përshtatshme për ndërmjetësim.
Lëndët e përshtatshme për ndërmjetësim nga e Drejta Penale
Në fushën penale, për veprat penale të dënueshme me gjobë ose/dhe me burgim deri në 3 vjet (përjashtuar rastet e Dhunës në Familje), të cilat, para ngritjes së aktakuzës sipas vlerësimit të prokurorit janë të përshtatshme të referohen në procedurën e ndërmjetësimit, ndërsa pas ngritjes së aktakuzës sipas vlerësimit të gjyqtarit, me propozimin e prokurorit ose me propozimin/pajtimin e të dëmtuarit dhe të pandehurit që çështjen e tyre ta zgjidhin në procedurën e ndërmjetësimit, lëndën e tillë e referon në ndërmjetësim. Veprat penale të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës që mund të konsiderohen më të përshtatshme për tu referuar në ndërmjetësim janë:
- Kanosja, neni 181 par.1 dhe 2 i KPRK
- Ngacmimi, neni 182 par.1
- Sulmi, neni 184 par.1
- Lëndim i lehtë trupor, neni 185 par.1
- Pjesëmarrja në rrahje, neni 187
- Shtrëngim, neni 192 par.1
- Cënimi i të drejtës në grevë, neni 221
- Keqpërdorimi i të drejtës në grevë, neni 222
- Vjedhja e shërbimeve, neni 314
- Shpërdorimi i pasurisë së huaj, neni 318
- Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme, neni 319
- Vjedhja e pyllit, neni 349
- Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike, neni 357 par. 2
- Mos evitimi i rrezikut, neni 362
- Rrezikimi i trafikut publik, neni 370 par.1
- Mospjesëmarrja në mënjanimin e rrezikut të përgjithshëm, neni 405
- Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave, neni 406
- Marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare, neni 407
- Vetëgjyqësia, neni 410 par.1
- si dhe vepra penale të tjera që vlerësohen të përshtatshme për ndërmjetësim.