Çfarë sistemi të përmbarimit ka Republika e Kosovës?
Në Kosovë, ekziston sistem i kombinuar i përmbarimit, ku përmbaruesve privatë iu është besuar me ligj përmbarimi i të gjitha çështjeve ndërsa gjykatat kanë mbetur kompetente për përmbarimin e vendimeve gjyqësore në çështjet nga e drejta familjare si dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet tjera.
Kur ka filluar përmbarimi privat në Kosovë?
Përmbarimi gjyqësor ka qenë vetëm kompetencë e gjykatës deri në maj të vitit 2014 kur edhe filluan punën përmbaruesit e parë privatë. Sidoqoftë, me ndryshimet ligjore nga korriku i vitit 2014, këto kompetenca janë transferurar nga gjykatat te përmbaruesit (përveç rastet e çështjeve familjare dhe rasteve të kthimit të punëtorëve në punë).
Cili është roli i Ministrisë së Drejtësisë lidhur me përmbarimin privat?
Ministria e Drejtësisë është organi kompetent dhe përgjegjës për emërimin e përmbaruesve privatë, mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së tyre si dhe për procesin e disiplinimit të përmbaruesve privatë. Për më tepër, Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse të hartojë legjislacionin primar dhe të hartojë dhe miratojë legjislacionin sekondar për përmbarimin privat.
Cili është roli i Odës së Përmbaruesve Privatë?
Roli i Odës është që të ruajë prestigjin, dinjitetin dhe të drejtat e profesionit të përmbaruesit privat, të përfaqësojë përmbaruesit para institucioneve publike dhe të bashkëpunojë me odat e shteteve tjera, të kujdeset që përmbaruesit të veprojnë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe në pajtim me ligjet, të kujdeset për avancimin profesional të përmbaruesve privatë si dhe të nxjerr statutin, Kodin e Etikës dhe aktet tjera në pajtim me legjislacionin përkatës.
Cili është roli i Këshillit Gjyqësor lidhur me përmbarimin?
Megjithëse përmbarimi privat është profesion i lirë dhe i pavarur, roli i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) mbetet qenësor në sistemin e përmbarimit privat. Ligji për procedurën përmbarimore përcakton KGJK-në si hisedar kryesor dhe i ka dhënë rol aktiv duke filluar nga procesi i emërimit deri në procedurat disiplinore ndaj përmbaruesve. KGJK është e përfshirë në të gjitha komisionet që Ministri i Drejtësisë emëron lidhur me profesionin e përmbarimit privat dhe në proceset tjera duke propozuar anëtarë nga radhët e gjyqtarëve për Komisionin për Provimin për Përmbarues Privat, Komisionin Vlerësues për Emërim të Përmbaruesve, Komisionin për Vlerësimin Profesional të Përmbarimit dhe Komisionin Disiplinor.
Cili është roli i gjykatave në sistemin e përmbarimit privat?
Themelimi i sistemit të përmbarimit privat në Kosovë ka ndryshuar edhe rolin e gjykatave lidhur me përmbarimin në përgjithësi. Megjithëse përmbaruesit privatë janë të pavarur në punën e tyre, funksionalisht puna e tyre është e lidhur ngushtë me punën e gjykatave. Përmbaruesi privat emërohet nga Ministri i Drejtësisë për territorin e caktuar të gjykatës themelore, i cili pas dhënies së betimit, duhet të depozitojë nënshkrimin, inicialet e tij, mostrën e çertifikuar të vulës dhe nënshkrimit të çertifikuar në gjykatën themelore në territorin e të cilës është emëruar. Përveç kësaj kryetari i gjykatës themelore për territorin e së cilës është emëruar përmbaruesi privat vendos për përjashtimin e përmbaruesit nga procedura përkatëse kur plotësohen kushtet ligjore, pastaj gjykatat vendosin për caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm të palës në procedurë përmbarimore, për vendosjen lidhur me prapësimin, ankesën, kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme, kërkesën për eliminimin e parregullsisë dhe procedurën e kundërpërmbarimit.
Për më tepër, ligji ka autorizuar kryetarin e gjykatës themelore që ndaj përmbaruesit privat të emëruar brenda territorit të asaj gjykate që sipas detyrës zyrtare të paraqes kërkesën për fillimin e procedurës së inspektimit ndaj përmbaruesit si dhe në bazë të ankesave të palëve dhe pjesëmarrësve në procedurë mund të paraqes propozimin për fillimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat.
Cili është roli i autoriteteve publike në sistemin e përmbarimit privat?
Autoritetet publike janë të obliguara sipas ligjit tu ofrojnë bashkëpunim dhe ndihmë përmbaruesve privatë në ushtrimin e autorizimeve të tyre të besuara me ligj. Të gjitha autoritetet publike e sidomos ato të cilat janë edhe mbajtës të regjistrave publikë që përmbajnë informata për identitetin, adresën, pasuritë dhe të ardhurat e debitorit janë të obliguara që të bashkëpunojnë dhe t’u ofrojnë të dhënat e nevojshme për përmbarimin e lëndëve të caktuara, përveç nëse me ligj të veçantë është ndaluar dhënia e informatave.
Në veçanti, organet e policisë janë të obliguara që të ofrojnë bashkëpunim të menjëhershëm kur përmbaruesi e konsideron të domosdoshme ndihmën e tyre në realizimin me sukses të veprimeve përmbarimore. Bashkëpunimi dhe mbështetja e përmbaruesit privat nga organet shtetërore dhe organizatat tjera e sidomos nga Policia e Kosovës, janë faktorë kyç për zbatimin me sukses të veprimeve përmbarimore.
Sa është numri i përmbaruesve privatë për territorit të një gjykate themelore?
Numri i përmbaruesve privat përcaktohet nga Ministri i Drejtësisë në përputhje me dispozitat e Ligjit të Procedurës Përmbarimore, i cili ka paraparë që një pozitë për përmbarues privat caktohet për 25,000 banorë për territorin e një gjykate themelore. Sipas Ligjit për procedurën përmbarimore, Ministri i Drejtësisë, varësisht nga nevoja ose me kërkesë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ose Odës së Përmbaruesve mund të vendosë për emërimin e më shumë përmbaruesve privatë. Aktualisht janë gjithsej 41 përmbarues privatë aktivë.
A mund të pushohet nga funksioni i tij përmbaruesi privat?
Funksioni i përmbaruesit privat pushon nëse paraqitet ndonjëra nga situatat si në vijim:
- kur përmbaruesi e mbushë moshën shtatëdhjetë vjeçare;
- në rast të dorëheqjes me shkrim;
- në rast se me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës është dënuar për vepër penale në kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj burgim, apo për ndonjë vepër që e bënë të padenjë në ushtrimin e funksionit të përmbaruesit privat;
- në rast se përmbaruesi privat nuk fillon punën e tij në përputhje me vendimin e Ministrit;
- në rast të shkarkimit;
- në rast të vdekjes;
Ministri nxjerr vendim për pushim e ushtrimit të funksionit të përmbaruesit privat nëse paraqitet ndonjëra nga arsyet e cekura më lartë, dhe për këtë Ministria njofton Odën dhe gjykatën kompetente në territorin e të cilës përmbaruesi privat ka pasur selinë. Me kërkesë të Ministrit përmbaruesi privat kryen shërbimet e përmbarimit gjatë tre muajve të ardhshëm derisa Ministri të nxjerr vendim për emërimin e përmbaruesit te ri privat apo zëvendësuesit të përmbaruesit privat.
A mundet përmbaruesi të jep dorëheqje nga funksioni i tij?
Përmbaruesi privat, mundet të kërkojë të lirohet nga detyra e tij përmes kërkesës me shkrim drejtuar Ministrit të Drejtësisë. Afati kohor për lirimin e përmbaruesit nga detyra është tre muaj. Në vendimin për lirim të përmbaruesit privat, Ministri cakton zëvendësuesin e përmbaruesit privat.
Kush e bën mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së përmbaruesit privat?
Për të siguruar një mbikëqyrje më efektive të punës së përmbaruesve privatë, ligji ka paraparë mbikëqyrjen e dyfishtë. Bazuar në Ligjin për procedurën përmbarimore, institucionet për mbikëqyrjen e punës së përmbaruesve privatë janë:
- Ministria e Drejtësisë dhe
- Oda e Përmbaruesve Privatë
A janë të obliguar të raportojnë për punën e tyre përmbaruesit privat?
Përmbaruesit privatë janë të obliguar që çdo vit të raportojnë për punën e tyre në Ministrinë e Drejtësisë. Raportet publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Odës së Përmbaruesve Privatë dhe minimalisht duhet të përmbajnë të dhënat për numrin e përgjithshëm të lëndëve të pranuara, numrin e përgjithshëm të lëndëve të zgjidhura, vlerën e kërkesave për përmbarim si dhe vlerën e borxheve të cilat i janë kthyer kreditorëve.
A kanë përgjegjësi disiplinore përmbaruesit privatë?
Përmbaruesit privatë sikurse edhe gjyqtarët kanë përgjegjësi disiplinore nëse me veprimet e tyre në ushtrimin e veprimtarisë përmbarimore shkelin dispozitat e ligjit për procedurën përmbarimore dhe të ligjeve tjera, nëse shkelin Kodin e Etikës, nëse nuk i plotësojnë detyrimet e parapara me Statut dhe me akte tjera të Odës dhe nëse shkelin prestigjin e profesionit të përmbaruesit privat.
Si fillohet procedura disiplinore ndaj përmbaruesve privatë?
Në bazë të Ligjit për procedurën përmbarimore (Neni 366), propozimin për fillimin disiplinore mund ta paraqesin:
Sipas detyrës zyrtare:
- Ministria e Drejtësisë
- Oda e Përmbaruesve Privatë
Sipas ankesave dhe iniciativave të palëve:
- Ministria e Drejtësisë
- Oda e Përmbaruesve Privatë
- Kryetari i gjykatës themelore për territorin e së cilës është emëruar përmbaruesi privat
A mundet pala të kërkojë fillimin e procesit disiplinor ndaj përmbaruesit?
Po, pala mund të parashtrojë kërkesë drejtëpërdrejtë në Ministrinë e Drejtësisë për fillimin e procesit disiplinor ndaj përmbaruesit privat i cili e ka udhëhequr procedurën ku pala ka qenë pjesë. Paraqitja e propozimit bëhet brenda gjashtë muajve nga dita e shkeljes, por jo më vonë se një vit nga dita e shkeljes (neni 375 i LPP).
Cilat janë shkeljet disiplinore?
Ligji për procedurën përmbarimore ka përcaktuar shkeljet disiplinore si në vijim:
- nëse përmbaruesi privat tejkalon autorizimet e besuara me këtë ligj;
- nëse gjatë kryerjes së veprimeve në kuadër të aktivitetit të tij përmbaruesi privat nuk i përmbahet ligjit;
- nëse përmbaruesi privat gjatë procesit të emërimit nuk ka zbuluar në mënyrë të qëllimshme pengesat ligjore të cilat janë kusht i emërimit të tij;
- nëse përmbaruesi privat ka shkelur detyrat e parashikuara me këtë ligj duke rrezikuar besimin në paanshmërinë e tij dhe në veprimet të cilat ai i ndërmerr;
- nëse përmbaruesi privat ndërmerr veprime në procedurë pavarësisht arsyeve për përjashtim;
- nëse përmbaruesi privat shkel detyrën e mbajtjes së sekretit zyrtar;
- nëse përmbaruesi privat kërkon kompensim më të lartë se sa ai i paraparë në tarifë;
- nëse përmbaruesi privat pa shkaqe të arsyeshme refuzon aftësimin profesional;
- nëse përmbaruesi privat nuk mban evidencat për lëndët e përmbarimit në të cilat ai punon apo evidencat e lëndëve në të cilat ai/ajo punon nuk janë në rregull;
- shkelja e detyrave të përcaktuara me dispozitat tjera;
- nëse përmbaruesi privat në pajtim me aktin e odës nuk e paguan anëtarësinë.
Cilat janë masat disiplinore që mund të shqiptohen ndaj përmbaruesit privat?
Përmbaruesit privat në procedurën e përcaktimit të përgjegjësisë disiplinore mund t’i shqiptohen vetëm masat disiplinore të cilat janë të parapara me ligj, të cilat janë si në vijim:
- vërejtja
- vërejtja publike
- gjoba në të holla nga 500 EUR deri 3,000 EUR
- ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej tre muaj deri në një vit
- shkarkimi nga detyra
Cili është efekti i procesit disiplinor?
Nëse konstatohen shkeljet e pretenduara disiplinore, atëherë procesi disiplinor mund të rezultojë në shqiptimin e masës disiplinore ndaj përmbaruesit privat të paraparë në Ligjin për Procedurën Përmbarimore. Nëse përmbaruesi shpallet përgjegjes për shkeljet e pretenduara atëherë procesi disiplinor mund të rezultojë në dhënien e vërejtjes, vërejtjes publike, gjobës financiare, në pezullimin e veprimtarisë përmbarimore për kohë të caktuar apo edhe deri në heqjen e licencës së përmbaruesit privat.
Cilat janë mjetet juridike që mund t’i përdor pala kundër vendimit të Komisionit Disiplinor?
Vendimi i Komisionit Disiplinor është përfundimtar dhe nuk mund të paraqitet ankesë në Ministrinë e Drejtësisë, por pala e pakënaqur me vendimin e Komisionit Disiplinor mund të fillojë kontestin administrativ duke paraqitur padi në Departamentin për Çështje Administrative që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Cilat janë parimet e etikës që duhet t’u përmbahen përmbaruesit privatë?
Me Kodin e Përkohshëm të Etikës janë përcaktuar edhe parimet e etikës që duhet t’u përmbahen përmbaruesit privatë. Këto parime janë grumbulli i parimeve të miratuara sipas të cilave përmbaruesit privatë duhen të sillen në punën e tyre dhe në mënyrë konsekuente t’i respektojnë. Parimet janë në pajtim me parimet e miratuara në përgjithësi të etikës profesionale të përmbaruesve në Europë dhe më gjerë ku është vendosur sistemi i përmbaruesve privatë.
Parimet themelore të etikës me të cilat në punë udhëheqin përmbaruesit privatë, zëvendësit dhe zëvendësuesi i përmbaruesit privat janë si në vijim:
- Ligjshmëria
- Pavarësia
- Ndërgjegjshmëria
- Dinjiteti
- Paanshmëria
- Profesionalizmi
- Detyrueshmëria dhe renditja për të vepruar
- Papajtueshmëria
- Puna publike
- Karakteri i besueshëm i të dhënave
- Konfilkti i interesit
- Shpenzimet e procedurës - kompensimi dhe shpërblimi për punë
- Afarizmi financiar