Ministri Selimi: Të angazhuar për trajtimin e çdo kërkese të familjarëve të personave të zhdukur


Prishtinë, 06/11/2020 - Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me Kryetaren e Kuvendit dhe U.d. Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, kanë pritur në takim znj. Nusrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”.

Ministri Selimi në takim me znj. Osmani, znj. Nagavci dhe znj. Kumnova, ka diskutuar për Projektligjin për persona të zhdukur i cili sipas rekomandimeve të bëra në Koncept Dokument, duhet të ndryshohet edhe Ligji për persona të zhdukur.

Ministri Selimi i ka njoftuar të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka hartuar versionin fillestar të këtij drafti mirëpo sipas tij, para se të procedohet tutje ky draft, e ka parë si të nevojshme që të ketë konsultime paraprake me përfaqësuesit e familjarëve me qëllim që të merren parasysh propozimet dhe të adresohen shqetësimet e tyre.

“Si Ministër i Drejtësisë mbetem i përkushtuar në trajtimin dhe adresimin e kërkesave të familjarëve të zhdukur duke e marrë parasysh çdo rekomandim i cili e kompleton këtë Projektligj”, tha Selimi.

Nga ana tjetër Kryetarja e Kuvendit dhe U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se do të ofroj mbështetje institucionale dhe do të ketë angazhim të shtuar në çështjen e personave të zhdukur, duke konsideruar çdo bashkëpunim si me familjarët e familjeve të personave të zhdukur poashtu edhe me të gjitha institucionet relevante.

Znj. Kumnova ka falënderuar Ministrin Selimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e ofruar dhe ka theksuar se sqarimi i fatit të personave të zhdukur, duhet të jetë një përparësi dhe të trajtohet me vëmendje të veçantë nga institucionet e Kosovës dhe të ngritet si çështje edhe në bisedimet me Serbinë.

Ministri Selimi e ka siguruar znj. Kumnova se do të ketë përkrahje institucionale në kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur dhe do të angazhohet që përfaqësuesit e këtyre familjarëve të jenë pjesë e çdo diskutimi apo iniciative e cila prek këtë çështje.

stema