Skip to content
Fjala e Ministres Haxhiu, në konferencë për media

Fjala e Ministres Haxhiu, në konferencë për media

Prishtina, 23/03/2022

Të nderuar gazetarë,

Mirë se vini në Ministrinë e Drejtësisë.

Sot bëhen një vit nga fillimi i këtij mandati qeverisës.

Gjatë këtij viti kemi dëshmuar se në Kosovë mund të ketë qeveri të pa korruptuar, pa skandale e cila është e përkushtuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimit të shtetit të së drejtës.

Gjatë këtij viti kemi dëshmuar, se një qeveri në Kosovë mund të veprojë dhe të punojë në përmbushjen e qëllimeve për të mirën e përgjithshme, pa keqpërdorur buxhetin e taksat e qytetarëve dhe duke minimizuar shpenzimet.

Në këtë vit qeverisje, Ministria e Drejtësisë ka punuar vazhdimisht për reformën në drejtësi duke hartuar politika dhe kemi përmirësuar kornizën ligjore në vend me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë këtu pakon ligjore kundër korrupsionit përmes ligjit për deklarimin e pasurisë dhe atij për byronë shtetërore për konfisikimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, kemi miratuar Kodin e Procedurës Penale dhe gjithashtu, rregulloren për raportimin e shkeljeve brenda institucioneve.

Kemi miratuar strategjinë për sundimin e ligjit. Vettingu mbetet fokusi kryesor i Ministrisë së Drejtësisë. Deri më tani, përveç koncept dokumentit për vetingun janë hartuar edhe amendamentet kushtetuese për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë vazhdon të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias lidhur me opinionin e radhës në raport me procesin e vetingun në vend.

Ne jemi të vendosur që ky proces i rëndësishëm për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, të jetë proces i përgatitur mirë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.

Reformën në sistemin prokurorial vazhdojmë ta trajtojmë me prioritet. Tashmë kemi proceduar në Kuvend projektligjin për KPK, me qëllim të eliminimit të parregullsive dhe gjithashtu të heqjes së koorporatizmit në KPK dhe krijimit të balancit midis anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë. Numri i anëtarëve të KPK në përbërjen e re do të jetë 7 dhe jo 13.

Në momentin që do të hyjë në fuqi ky ligj, atëherë anëtarëve aktual do t’ju ndërpritet mandati dhe vetëm 3 nga ta do të mbesin përmes shortit.

Kemi bërë prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, si asnjë qeveri me parë. Jemi duke punuar me intensitet drejt finalizimit të Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit. Jemi gjithashtu duke punuar në Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale sikurse edhe kemi mbështetur Prokurorinë Speciale për adresimin e krimeve të luftës duke hequr pengesat për gjykimin në mungesë të kriminelëve.

Dhuna në familje vazhdon të mbetet fenomen shqetësues për shoqërinë tonë. Ky fenomen ka pasur vëmendjen sikurse edhe angazhimin tonë. Kemi miratuar strategjinë kundër dhunës në familje, dhe jemi angazhuar të sigurojmë zbatimin e 140 aktiviteteve të parashikuara për 3 vitet në vijim. Po ashtu kemi krijuar bazën ligjore për garantimin e ndihmë juridike falas viktimave të dhunës, pavarësisht gjendjes socio ekonomike te tyre.

Tutje, kemi themeluar Gjykatën Komerciale, e cila së shpejti do të funksionalizohet, dhe jemi duke punuar për Gjykatën Administrative dhe atë të Punës.

Të nderuar gazetarë dhe qytetarë,

Për një vit punë, Ministria e Drejtësisë ka finalizuar dhe miratuar në Qeveri 37 dokumente si projektligje dhe koncept-dokumente, strategji e rregullore dhe akte të tjera të rëndësishme përshirë nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ne jemi pothuajse në prag te finalizimit të udhëzimit për uljen e tarifave të larta të përmbaruesve. E po ashtu po punojmë për uljen e tarifave të noterëve.

Për një vit, kemi organizuar 2 afate të provimit të jurisprudencës. Tashmë ky provim i cili në të kaluarën ishte shoqëruar me parregullsi të shumta, si asnjëherë më parë tashmë karakterizohet me profesionalizëm, integritet e transparencë të plotë dhe gjatë këtij viti, ne kemi 192 juristë të rinj të cilët kanë kaluar provimin e jurisprudencës.

Në anën tjetër, gjatë kësah kohe, kemi hasur edhe në sfida.

Siç jeni në dijeni, procesi i vettingut është në nevojë dhe kërkesë shoqërore. Është i vetmi çelës që kemi në duar për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës. Ndonëse kemi pasur përpjekje për tu ulur dhe diskutuar me subjektet opozitare, të njëjtat nuk kanë shfaqur as interesimin më minimal për të diskutuar lidhur me këtë, edhe përkundër insistimeve tona.

Procesi i noterisë – siç jeni në dijeni, Gjykata Themelore në Prishtinë ka rrëzuar vendimin tim lidhur me anulimin e procesit të provimit të noterisë. Unë nuk do ta komentoj vendimin e Gjykatës vetëm dua të shtoj që s’ka vendim që legjitimon një proces aq të padrejtë, të kurdisur e të komprometuar. Pas rrethanave të krijuara, ne do të hapim një konkurs për provimin e noterisë me qëllim të rritjes së konkurrencës dhe cilësisë midis kandidatëve.

Mosvotimi i Kodit Civil nga Kuvendi nuk ishte fare lajm i mirë. Me lejoni të ju informoj se që nga dita e parë e mandatit tim, në Projekt-kodin Civil është punuar me prioritet dhe përkushtim dhe mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve më të mira ndërkombëtare. Unë nuk negocioj të drejtat e njeriut, nëse Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare nuk lejojnë diskriminimin mbi bazën e orentimit seksual atëherë i gjithë legjislacioni tjetër duhet të jenë në linjë dhe në përputhje me to.

Puna e mirë do të vazhdohet tutje dhe Projekt-kodi civil do të procedohet në Kuvendin e Kosovës sërish.

Për jetësimin e prioriteteve tona, puna në Ministrinë e Drejtësisë është duke vazhduar në 19 grupe punuese, me ç’rast 5 prioritetet e Kabinetit tim dhe punët tjera në Ministrinë e Drejtësisë, do të realizohen me profesionalizëm, gjithë-përfshirje dhe transparencë të plotë.

Të nderuar gazetarë, kemi bërë edhe shumë punë të tjera por kemi edhe shumë punë të tjera para vetes.

Përgjatë këtij 1 viti qeverisje, ne kemi dëshmuar integritet të lartë moral, profesional e politik. Kemi qenë transparent dhe të qasshëm. Edhe përkundër shumë sulmeve, shpifjeve, dhe tendencave për të krijuar situata të paqena, kemi qenë të vendosur në jetësimin e prioriteteve tona.

Skip to content