Skip to content
Fjala e Ministres Haxhiu në Konferencën vjetore të prokurorëve

Fjala e Ministres Haxhiu në Konferencën vjetore të prokurorëve

Prishtina, 11/02/2022

Të nderuar prokurorë,

jam e vetëdijshme që keni një punë të rëndë dhe sfiduese, ndjekja e një vepre është një barrë e rëndë, mirëpo siguria e qytetarëve varet edhe nga puna juaj, viktima e krimit kërkojnë mbrojtje dhe drejtësi prandaj edhe kemi plotësisht të drejtë t’ju kërkojmë që t’i shërbeni ligjit dhe t’i qaseni drejtësisë me përulësi.

Për t’i realizuar synimet dhe përgjegjësitë tuaja dhe për ta fuqizuar edhe më shumë punën tuaj, duhet ta rrisni bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe të ndani me njëri-tjetrin përvojat dhe vështirësitë që i hasni gjatë punës suaj por edhe sukseset tuaja.

Ndonëse keni një përgjegjësi të madhe, gjithnjë duhet të keni parasysh parimet që do t’ju udhëheqin gjatë punës suaj.

Ju luani një rol shumë të rëndësishëm në administrimin e drejtësisë, prandaj ushtrojeni detyrën tuaj në mënyrë objektive, të pavarur dhe me paanësi.

Në përmbushjen e detyrave tuaja profesionale, sigurisht që ju duhet mbështetje. Unë zotohem para jush që do të jem zëri juaj që adreson secilën nevojë që keni, qoftë atë njerëzore apo profesionale.

Ne e kemi obligim që të sigurohemi që ju e bëni punën tuaj pa asnjë pengesë. E kemi obligim që t’ju ofrojmë mbrojtje kur rrezikohet siguria juaj personale për shkak të kryerjes së funksioneve prokuroriale.

Ju lutem që gjatë punës tuaj të keni parasysh që përveç tjerash, qytetarët duan rezultate në adresimin e veprave që e kanë lënë të pazhvilluar vendin tonë, ato të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Angazhohuni shumë që të sillni para drejtësisë ata të cilët kanë keqpërdorur detyrat zyrtare dhe që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme!

Ne duhet të dëshmojmë që askush nuk është i paprekshëm dhe se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Ju duhet të dëshmoni që nuk ju interesojnë emrat e përveçëm të njerëzve që hetohen apo pozicionet që ata mbajnë, por veprat që kanë bërë!

Angazhohuni për adresimin e veprave që kanë të bëjnë me krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë e po ashtu të mos keni asnjë tolerancë për veprat që kanë të bëjnë me dhunën në familje, dhunën në bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave!

Hetimet profesionale e të mbështetura në ligj, që kulmojnë me aktgjykime dënuese e ndëshkim për kryesit e veprës penale, është ajo që secili qytetar pret nga ju.

Angazhohuni maksimalisht për drejtësi! Mbrojini efektivisht qytetarët nga shkelja e të drejtave të tyre, sepse ju veproni në emër të shoqërisë dhe po ashtu e keni përgjegjësinë të mbroni interesin publik. Mos lejoni askënd të ndërhyjë në punën tuaj! Ndiqni standardet më të larta etike dhe profesionale!

Mund ta marr me mend që kritikat që i kam thënë dhe i them për sistemin e drejtësisë, edhe mund të keqkuptohen. Dua të them një gjë, secila prej tyre ka vetëm një qëllim – ai qëllim është që shteti ynë të ketë institucione të fuqishme të drejtësisë dhe që i shërbejnë vetëm ligjit.

Po ashtu, gjithë çfarë kemi bërë si Ministri dhe si ministre që nga dita e parë e punës sime është për të mirën e sistemit të drejtësisë.

Të gjitha reformat që kemi nisur kanë për qëllim fuqizimin e sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në këto institucione.

Në fund para nesh është një proces goxha i rëndësishëm, ai i zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të shtetit.

Arsyeja pse po e përmend këtu është sepse zgjedhja e kryeprokurorit është përtej Këshillit Prokurorial sepse ka jehonë e ndikim brenda dhe jashtë vendit.

Prandaj ky proces ka vëmendjen e të gjithëve, madje edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Sigurohuni që ky proces të jetë transparent, i drejtë , profesional e meritor!

Faleminderit për punën e mirë që keni bërë. Ju uroj punë të mbarë dhe të drejtë e për drejtësi në ditët, muajt e vitet në vazhdim!

Ministria e Drejtësisë është e gatshme të kontribuojë dhe avokojë për ju.

Fati i Kosovës dhe qytetarëve është në duart tona. Është detyrë që ta zhvillojmë vendin në mënyrë që qytetarët ta duan vendin e tyre dhe të mos detyrohen të largohen nga vendi.

Skip to content