Skip to content
Ministri Tahiri kërkon lirimin e Morinës:  Serbia të ndalë praktikën e përndjekjes mbi logjikën e Millosheviqit

Ministri Tahiri kërkon lirimin e Morinës: Serbia të ndalë praktikën e përndjekjes mbi logjikën e Millosheviqit

Prishtina, 31/07/2019

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Sot i kam drejtuar një letër homologes sime në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoskes, përmes së cilës kam kërkuar lirimin e qytetarit Tomor Morina, i cili është duke u mbajtur në arrest mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Është bërë praktikë politike e pakuptimtë dhe tërësisht irracionale, përndjekja që Serbia vazhdon t'iu bëjë qytetarëve tonë përmes flet arresteve ndërkombëtare, baza e të cilave derivon kryesisht nga regjimi famëkeq i Millosheviqit.

Për më tepër, iracionaliteti i këtyre kërkesave duke u bazuar në juridiksionin inekzistent të saj mbi Kosovën sikur të ekzistonin dy botë paralele, përderisa Republika e Kosovës është shtet sovran dhe askush s'ka të juridiksion mbi të e shtetasit e saj, po e shpërfaqë jo vetëm këtë praktikë, por edhe logjikën e pushtetit të Beogradit si logjikë e përndjekjes së shtetasve tanë për qëllime politike dhe aspak për çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Rruga e një shteti që aspiron BE-në e që praktikon një doktrinë përndjekë ndaj qytetarëve të lirë të një vendi fqinje është rrugë që shpie në qorrsokak. Kjo praktikë duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe është tepër e nevojshme që në këtë drejtim, Bashkimi Evropian ta ushtrojë presionin mbi Serbinë. Republika e Kosovës nuk do të rrijë indiferent ndaj kësaj çështje, as sot as në të ardhmen, deri kur një praktikë e tillë të marrë fund.

Skip to content