Skip to content
Ministri Tahiri: Secili përgjegjës për krimet e luftës do të dal para drejtësisë   

Ministri Tahiri: Secili përgjegjës për krimet e luftës do të dal para drejtësisë  

Prishtina, 17/05/2019

Sipas ministrit Tahiri, rendi juridik i Kosovës garanton respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të secilës palë në procedurë.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Sot, institucionet tona kanë realizuar ekstradimin nga Hungaria të një individi të dyshuar për krimet e luftës në Kosovë. Kemi dhënë garanci të plota se krahas ballafaqimit me përgjegjësinë, ne do të respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e secilës palë në procedurë.

Ka qenë përkushtim i vazhdueshëm dhe ne do mbetemi të përkushtuar edhe më tej që secili përgjegjës për krimet e luftës ndaj popullatës civile që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, do të dalë para drejtësisë dhe të përgjigjet për veprimet e veta.

Konsolidimi i bazës ligjore dhe rritja e kapaciteteve të organeve të sistemit të drejtësisë është bërë pikërisht për të rritur efikasitetin e vendosjes së drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.

Republika e Kosovës dhe rendi juridik i saj janë të mishëruara mbi bazën e parimeve më të shëndosha demokratike dhe atyre të drejtësisë.

Zbatimi i të drejtave të njeriut, barazia para ligjit dhe secili segment që ndërlidhet me personat e dyshuar potencial për vepra penale, përfshirë edhe për ato që ndërlidhen me krimet e luftës vlejnë dhe do vlejnë gjithnjë.

Skip to content