Скочи на садржај
Ministri Tahiri: Bizneset vendore dhe të huaja, shumë shpejt do kenë një adresë unike të drejtësisë

Ministri Tahiri: Bizneset vendore dhe të huaja, shumë shpejt do kenë një adresë unike të drejtësisë

Prishtina, 18/04/2019

Punimet e Konferencës janë hapur nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Skender Çoçaj.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Veseli, vlerësoi jashtëzakonisht lart përpjekjet për reformat në sektorin e sundimit të ligjit dhe veçmas ato që kanë për destinim një ambient të sigurt të ndërmarrësisë dhe të bërit biznes, për të cilën sistemi efikas i drejtësisë është parakusht themelor. Kryetari Veseli po ashtu theksoi mbështetjen e plotë për nismat legjislative që rrjedhin si rezultat i reformave dhe të cilat garantojnë një sistem efikas të drejtësisë që aplikohet në çështjet komerciale.

Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri shtroi argumentet themelore që rekomandojnë themelimin e një Gjykate Komerciale si adresë unike që do adresojë zbatimin e ligjit në fushën e të bërit biznes, si dhe synimet për avancimin e Profesioneve të Lira Ligjore në drejtim të efikasitetit në këtë fushë.

Kryesuesi i KGJK-së, z. Çoçaj vlerësoi se kjo perspektivë tashmë është duke marrë formë edhe nga kontributi i akterëve të tjerë dhe është një nga alternativat serioze për materializimin e të cilave do të angazhohet edhe sistemi gjyqësor.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve tjera, shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtar dhe komunitetit të biznesit, para të cilëve është prezantuar një dokument i politikave që identifikon sfidat kyçe në fushën e drejtësisë komerciale dhe ofron rekomandime të prekshme që përfundimisht do t’i japin drejtim zgjidhjes së sfidave me të cilat përballen bizneset në Republikën e Kosovës.

Nga përfundimet e konferencës kanë dalë rekomandime për themelimin e një adrese të vetme në gjyqësor për zgjidhjen e kontesteve komerciale për bizneset dhe investitorët e huaj. Një zgjidhje e prekshme për të cilën i gjithë spektri i biznesit e përkrahë është themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila do përfshijë kompetencat e Departamentit Ekonomik si dhe ato fiskale nën Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Themelimi i një gjykate të tillë është përpjekje për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për zgjidhjen e kontesteve nga bizneset dhe investitorët e huaj.

Përveç themelimit të Gjykatës Komerciale është diskutuar edhe avancimi dhe promovimi i ndërmjetësimit dhe arbitrazhit si mekanizma alternativë për zgjidhjen e kontesteve, harmonizimi i mëtutjeshëm i legjislacionit në fushën komerciale dhe koordinimi më efektiv ndër-institucional për të fuqizuar sektorin e sundimit të ligjit në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Foto Galeria

Skip to content