Në takimin e sotëm me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl dhe delegacionin norvegjez, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutoi rreth bashkëpunimit të ndërsjellë në çështjet e sundimit të ligjit, me theks të veçantë krijimit të Sistemit të Menaxhimit Elektronik të Lëndëve – SMIL (CMIS) i cili tashmë ka filluar të aplikohet brenda sistemit gjyqësor në Kosovë.
Ministrja Haxhiu e cila theksoi edhe njëherë përkushtimin dhe rezultatet e Ministrisë së Drejtësisë në fushën e sundimit të ligjit, gjithashtu shprehu mirënjohje dhe falënderim për shtetin e Norvegjisë, i cili ka ndihmuar dhe mbështetur në vazhdimësi institucionet e vendit në forcimin e sundimit të ligjit dhe gjithashtu, mbështetjen për funksionalizimin e Sistemit të Menaxhimit Elektronik të Lëndëve – SMIL.
Në anën tjetër, përderisa Ambasadori Norvegjez, Jens Erik Grondahl, shprehu përkushtimin e Norvegjisë në ndërtimin dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës, Drejtori Gjeneral i Administratës së Gjykatave të Norvegjisë, z. Sven Marius Urke, po ashtu falënderoi Ministrinë e Drejtësisë, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit për bashkëpunimin konstruktiv në funksionalizimin e sistemit SMIL (CMIS). Ambasadori theksoi poashtu përkushtimin e Norvegjisë për mbështetjen tutje në zhvillimin e politikave dhe reformave në sundimin e ligjit.
Në fund, të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin e mirë dhe ta thellojnë edhe më tutje këtë bashkëpunim.