Skip to content
Ministrja Hoxha: Kosova do të punojë edhe më shumë në fuqizimin e të gjitha mekanizmave për të ndërtuar dhe mbrojtur demokracinë kushtetuese

Ministrja Hoxha: Kosova do të punojë edhe më shumë në fuqizimin e të gjitha mekanizmave për të ndërtuar dhe mbrojtur demokracinë kushtetuese

Prishtinë, 27/10/2016

Në kuadër të shënimit të shtat vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është organizuar konferenca me titull “Kontrolli incidental si mekanizëm Kushtetues në sigurimin e kushtetutshmërisë së ligjeve në vendet në tranzicion” në të cilën kanë marr pjesë edhe kryetarët e Gjykatave Kushtetuese nga Shqipëria dhe Maqedonia, gjyqtar të Gjykatave Kushtetuese nga Bullgaria, Turqia dhe Portugalia, si dhe ekspert të ndryshëm të Kushtetutës. Në këtë konferencë ka marr pjesë Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha e cila pasi që ka përshëndetur të pranishmit, ka falënderuar Kryetaren e Gjykatës znj. Arta Rama Hajrizi dhe e përgëzoj për angazhimin e saj në këtë institucion. 

Në hyrje të fjalës së saj, Ministrja Hoxha tha se që nga shpallja e pavarësisë, Republika e Kosovës i është nënshtruar një sërë ndryshimesh të thella demokratike që e karakterizojnë rendin e shteteve moderne ku mbizotëron demokracia kushtetuese dhe themelimi i Gjykatës Kushtetuese ka kompletuar mekanizmat e domosdoshëm juridik për demokracinë kushtetuese, duke u bërë gardian i mbrojtjes së Kushtetutës, njëherit duke garantuar stabilitetin demokratik kushtetues përmes interpretimit të kushtetutshmërisë.  

Demokracitë kushtetuese, mbrojnë vlerat kushtetuese, duke filluar nga barazia para ligjit, ndarja e pushteteve, e drejta e fjalës dhe e shprehjes, liria e besimit, e drejta e pronës dhe të drejtat e tjera, dhe me këtë rast Ministrja Hoxha theksoi se “Demokracia kushtetuese përfaqëson demokracinë e vërtetë të një shteti demokratik, të një shteti ligjor, demokracia kushtetuese nuk mund të ndërtohet dhe të funksionojë me vlerat e pjesshme të saj, por ndërtohet dhe funksionon duke respektuar dhe mbrojtur të gjitha vlerat kushtetuese dhe demokratike”. 

Tutje Ministrja Hoxha tha se kushtetuta ka si mision kryesor ruajtjen e vlerave themelore demokratike. Ajo duhet të promovojë dhe evidentojë këto vlera, si dhe të sigurojë stabilitetin, ashtu si dhe dinamizmin e zhvillimeve shoqërore, forcimin e ndjenjës së drejtësisë në marrëdhëniet njerëzore. 

Ministrja Hoxha shtoi se duke siguruar fuqizimin e sundimit të ligjit, ne i sigurojmë qytetarët tanë që organet shtetërore dhe të gjithë qytetarët pa dallim, i nënshtrohen ligjeve në fuqi. “Kosova si shtet i ri do të punojë edhe më shumë në fuqizimin e të gjitha mekanizmave për të ndërtuar dhe mbrojtur demokracinë kushtetuese, edhe pse janë bërë përpjekje të mëdha për fuqizimin e sundimit të ligjit, megjithatë ende mbetet shumë për tu bërë” tha Hoxha.  

Në përmbyllje të fjalës së saj, Ministrja Hoxha theksoi se edhe personalisht, por edhe nga pozita e Ministres së Drejtësisë, pres me padurim përfundimin e punimeve të kësaj konference, me motivin për t’i trajtuar institucionalisht me seriozitetin më të madh rekomandimet që do të dalin nga diskutimet e panelistëve prezentë, në funksion të investimit për të përmirësuar demokracinë kushtetuese. 

Foto Galeria

Skip to content