Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler, të cilit fillimisht i dëshirojë mirëseardhje dhe fillimi të mbar të detyrës në cilësinë e Ambasadorit në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, Ministri Kuçi theksoi se përkrahja e shtetit austriak është e mirëseardhur për të vazhduar tutje në përmbushjen e obligimeve, e sidomos në zbatimin e proceseve të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Ministri Kuçi, e ka njoftuar Ambasadoren Pfandler lidhur me adresimin e sfidave të Raportit të Progresit, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kurse shprehu nevojën e domosdoshme që liberalizimi i vizave të përmbyllet si proces, meqë obligimet e dala janë përmbushur nga Qeveria e Kosovës. Ministri theksoi se procesi i liberalizimit do t`a ndihmonte Kosovën në realizimin e synimeve të saj në rrugën drejt BE-së dhe njëherit e njoftoi Ambasadorin se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur të përmbush të gjitha pikat që kërkohen, përfshirë bashkëpunimin rajonal.
Ministri njoftoi ambasadorin rreth procesit të draftimit të Kodit Civil, dhe gjithashtu përmendi angazhimin e tij rreth funksionalizimit dhe harmonizimit të ligjeve në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Ambasadori Pfandler ka falënderuar Ministrin Kuçi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ka vlerësuar lartë progresin e arritur në vend, sidomos reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave.
Ambasadori Pfandler theksoi se përkrahja dhe bashkëpunimi do të vazhdojë tutje edhe në fusha të tjera lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Në fund të takimit, Ambasadori shprehu vlerësimin e tij për vazhdimin e dialogut si instrument tejet i rëndësishëm për të ardhmen e te dyja vendeve, si rrugë e vetme përpara.