Skip to content
Shoqëria Civile dhe mediat, ndër akterët kryesor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Shoqëria Civile dhe mediat, ndër akterët kryesor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Prishtinë, 05/11/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me ftesë të Institutit Demokratik të Kosovës, sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga ky Institut me rastin e publikimit të raportit të vlerësimit të Sistemit të Integritetit Kombëtar (SIK) të Kosovës.

Në këtë raport janë të analizuara pesëmbëdhjetë (15) shtyllat e hulumtuara, të cilat përfshijnë institucionet politike, institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura, si dhe institucionet joqeveritare.

Gjatë kësaj tryeze, Ministri Kuçi e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm, fillimisht punën dhe angazhimin e Shoqërisë Civile, sidomos në monitorimin e punës së institucioneve ku pasqyrohet më së miri në këtë raport të publikuar, të cilin e ka cilësuar si shumë profesional. Sipas tij, ky raport ka krijuar një perceptim më real të punës së secilit nga institucionet dhe dikasteret përkatëse. 

Ministri Kuçi ka vlerësuar që secili nga akterët përgjegjës duhet t`a ruajnë dhe forcojnë besimin në drejtësi. Kuçi tha se, edhe ky raport ka për qëllim jo vetëm t’i vë në pah dobësitë e sistemit të drejtësisë,  por edhe t’i përmirësojë ato,  përmes veprimeve konkrete të institucioneve të cilat garantojnë pavarësi institucionale, transparencë dhe qëndrueshmëri në adresimin e çështjeve me interes të përgjithshëm ku përveç besimit në drejtësi do të ndihmonte edhe në arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër korrupsionit. 

Kuçi ka theksuar se, gjyqësia profesionale është një nga kushtet kryesore për fuqizimin e besimit në drejtësi. Trajnime më të kompletuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sidomos në disa fusha më të reja për sistemin e drejtësisë, duke përfshirë këtu kriminalitetin kibernetik, duhet të jenë pjesë e përmirësimit të performancës së secilit prokuror dhe gjyqtar. 

“Ka nevoje për një bazë ligjore, kuadro të aftë, profesional, të paanshëm dhe me guxim qytetar, për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative që nga partitë politike, shoqëria civile, mediat dhe qytetaret. Nuk do të ketë sukses lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar nëse Shoqëria Civile dhe mediat nuk janë aktive në luftimin e këtyre dukurive”, tha Ministri Kuçi. Ai ka ftuar edhe qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë duke pas parasysh se Kosova ka ligje për dëshmitarët bashkëpunues, për informatorët dhe qasje tjera të cilat i mundësojnë qytetarëve një garanci ligjore.

Për fund, Ministri Kuçi shtoi se ka ende punë për të bërë për të arritur sistem edhe më funksional dhe se ka nevojë për një rishikim të tërësishëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Gjatë këtij mandati ne veçanti do të bëhet vlerësimi i infrastrukturës ligjore dhe harmonizimi institucional. 

Ministri Kuçi tha se ka nevojë për një ndërlidhje me bazën legjislative, me ambientin shoqëror dhe një ndërlidhje me qytetarin për ta fituar besimin në drejtësi. “Garancia më e qëndrueshme për qytetarët do të jetë nëse institucionet e vendit garantojnë që do të jenë në gjendje për të kontrolluar, stigmatizuar por edhe për të dënuar vetveten” tha Kuçi.

Kuçi premtoj se do t’i marrin shumë seriozisht rekomandimet e dalura nga ky raport ku ka ftuar Shoqërinë Civile që të monitorojnë implementimin e këtyre rekomandimeve, të cilat janë në të mirë të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Foto Galeria

Skip to content