Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Artur Zoto, të cilët u shoqëruan nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), z. Emrush Thaçi dhe stafi i tij.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi, ka vlerësuar bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, duke theksuar se angazhimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm, marrë parasysh faktin se shkëmbimi i përvojave do të ndihmonte në avancimin dhe lehtësimin e punës në këto dy institucione. Me tej, Ministri Kuçi, ka premtuar mbështetje të plotë në angazhimin e përbashkët të këtyre dy institucioneve, por edhe në mes të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Në anën tjetër, z. Thaci dhe z. Zoto, janë pajtuar që të ketë koordinim dhe thellim të bashkëpunimit, si në aspektin teknik ashtu dhe në atë praktik, në zhvillimin e programeve në fushën e trajnimit të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, transferimin e të burgosurve, risocializimin e tyre, nxitjen e zbatimit të dënimeve alternative, bashkëpunimin në zhvillimin e infrastrukturës, i cili do ta lehtësonte komunikimin si dhe shkëmbimin e përvojave të ndërsjella, me qëllim që, siç thanë ata, avancimit të punës së tërësishme në këto dy institucione si dhe realizimin e marrëveshjeve të përbashkëta në fusha të caktuara.
Gjatë qëndrimit të tij, delegacioni nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë, është njoftuar me gjendjen e qendrave korrektuese dhe atyre të paraburgimit si dhe ka zhvilluar një vizitë në Burgun e Sigurisë së Lartë ku janë njoftuar për së afërmi me ambientin e këtij burgu.