Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Kryenegociatorin e BE-së për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) për Kosovën, Joost Korte. Në takim i pranishëm ishte edhe Shefi i Zyrës së BE-së, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar dhe Zyrtarin Politik të Deskut të Kosovës në Komisionin Europian dhe Koordinator i Raportit të Progresit, Lukas Holub.
Në këtë takim është biseduar për Marrëveshjen e Stabilizimit Asocimit, me ç’rast Kryenegociatori Korte e ka njoftuar Zëvendëskryeministrin Kuçi për mbarëvajtjen e procesit të bisedimeve për MSA-në dhe për përkushtimin e Komisionit Europian për këtë proces. Gjithashtu është diskutuar për hapjen e kapitujve të ri të MSA-së për negociatat e tanishme dhe për planet e vazhdimit të këtyre negociatave.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka falënderuar Kryenegociatorin Korte për përkushtimin dhe punën e bërë. Kuçi ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme të ndërmarrë obligimet që dalin nga MSA dhe të punojnë në përmbushjen e këtyre obligimeve.
Temë e veçantë e takimit ishin edhe kapitujt e MSA-së që ndërlidhën me sistemin e drejtësisë dhe rëndësia që ky sistem gjatë punës së tij të jetë i pavarur, i paanshëm dhe llogaridhënës. Në takim po ashtu, u diskutua dhe u vlerësua rëndësia e procesit të negociatave të MSA-së për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Europian.