Skip to content
Fjalimi i ministrit Kuçi në debatin e organizuar nga KDI me titull: “Problemet e Gjyqësorit”

Fjalimi i ministrit Kuçi në debatin e organizuar nga KDI me titull: “Problemet e Gjyqësorit”

Prishtinë, 24/06/2011

Është ndjenjë shumë e mirë të jem i ftuar për të diskutuar së bashku sot jo vetëm me institucionet që përbëjnë një pjesë madhore të punës sime të përditshme, por sidomos për të diskutuar sfidat e edhe sukseset e tyre bashkë me studentët, të cilët pres që në të ardhmen e afërt t’i shoh në pozitat ku ne jemi sot.

Veçanërisht, më vjen mirë që për sfidat, kapacitetet, e efikasitetin e gjyqësorit po flitet nga një këndvështrim tjetër nga ai që ne këtu në panel e shohim; po flitet nga shoqëria civile. Dhe kjo gjithsesi reflekton vetvetiu rëndësinë e madhe që ka kjo degë e pushtetit në jetën e secilit prej nesh. E ne jemi sot këtu për të riafirmuar pozitën tonë që po punohet me kapacitete të shtuara e maksimale që kjo sferë të përmirësohet substancialisht, dhe se për këtë po punojmë shumë.

U tha edhe sot se Gjyqësori ynë ka probleme, apo më mirë t’i quajmë sfida të shumta. Këtë nuk e mohojmë madje as ne, që jemi pjesë e strukturave drejtuese të tyre. Ajo që gjithashtu është me rëndësi të vërehet është se gjatë të gjitha periudhave të deritanishme, Gjyqësori në Kosovë është përballur me vështirësi nga më të ndryshmet, duke filluar me ato materiale, me pagat e ulëta, kushtet jo të mira të punës, e deri te ato të natyrave të tjera si mungesa e kapaciteteve dhe numrit të duhur të gjyqtarëve e edhe presionet dhe ndryshimet e vazhdueshme politike.

Sot jam këtu, së bashku me kolegët e mi, për të rikujtuar të pranishmit për punën që po bëjmë ne për të tejkaluar këto sfida, e pse jo edhe për të marrë ide të reja për këtë nga ata që e shohin gjyqësorin nga një anë tjetër.

Besoj se tashmë jeni të informuar se prioriteti kryesor që unë si Ministër i Drejtësisë kam vënë para vetes është koordinimi i mirëfilltë i sistemit të drejtësisë. Kjo është bërë me qëllim që të themelohen kanale të rregullta komunikimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial,Gjykatën Supreme e  EULEX-it, për të siguruar mbarëvajtjen e proceseve qenësore për sundim të ligjit. 

Kanë qenë pikërisht këto takime të rregullta mes nesh që kanë prodhuar disa nga rezultat e para qenësore me ndikim në Gjyqësorin tonë. Për të ngritur në një nivel tjetër luftën e përbashkët tonën kundër korrupsionit, pas konsultimit me këto institucione, ne kemi marrë vendim që të jepen shtesa substanciale për Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila është lider në luftën e kësaj dukurie dhe llojeve të tjera të krimit të organizuar. Unë jam i bindur se kjo shënon vetëm një nga hapat fillestarë ne drejtimin e përkushtimit tonë për të luftuar këtë dukuri negative por edhe drejt përmirësimit të kushteve materiale të akterëve ndër më kryesorët në këtë luftë.

Sot gjithashtu vihet gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë, ku do të vendosen së bashku të gjitha institucionet që merren me sundim të ligjit, përfshirë këtu edhe Gjykatat, të cilat sot janë të shpërndara nëpër qytet. Ndërtimet do të fillojnë shumë shpejtë, në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Administratës Publike, dhe kështu do të zbatohet njëri ndër investimet më të mëdha kapitale në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të Gjyqësisë sonë.

Ajo çka është më shumë rëndësi, është fokusi ynë për ngritje të kapaciteteve dhe përmirësimeve të kushteve nga një kënd tjetër i tyre. Ministria e Drejtësisë është e angazhuar aktivisht në përmirësimin e infrastrukturës ligjore me të cilat punon gjyqësia jonë çdo ditë. Ju e dini se një ligj që është parë si tejet i rëndësishëm për të lehtësuar efikasitetin e gjyqësisë sonë, veçanërisht në procedurat penale, është Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Ky ligj tashmë është dërguar në Kuvend, dhe pritet të miratohet së shpejti atje, dhe kështu të lehtësojë shumë punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi. Në po të njëjtin drejtim, është me rëndësi të theksoj se Kodet Penale janë duhet u rishikuar, në mënyrë që të përputhen me standardet dhe praktikat më moderne dhe më të suksesshme evropiane dhe botërore. Për këtë, janë angazhuar fuqishëm ekspertë nga ShBA-të dhe, në bashkëpunim me ekspertë lokal dhe ndërkombëtarë në Kosovë, do të dalin së shpejti me një draft i cili do të ketë mbështetjen e plotë të të gjithë akterëve. Me theks të veçantë në këtë proces, më duhet të përmend faktin se po ngrihen dukshëm standardet për vepra sidomos në fushën e luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që e bën edhe më tej luftën tonë ndaj këtyre veprave edhe më serioze. Gjithashtu, me rëndësi të madhe për mediat dhe shoqërinë civile, po punohet shumë në drejtim të përputhjes së Kodit Penal me Lirinë e shprehjes dhe Ligjin për Shpifje, në mënyrë që të eliminohen mos-përputhjet me Kushtetutë e Konventa ndërkombëtare për këtë të drejtë, dhe kjo gjithsesi do t’u ndihmojë edhe mediave në punën e tyre. 

Ndër ligjet e shumta në të cilat po punohet, po përmendi disa nga më me rëndësi për temën që po diskutojmë sot, në mesin e të cilëve është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik; Projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, ekstradim dhe transferim të personale të dënuar; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik, dhe me shumë rëndësi, rishkrimin e Ligjit për Prokurim Publik. Ligji për prokurim Publik tashmë ka filluar të rishikohet në mënyrë që të inkorporohet të gjitha vërejtjet që janë reflektuar edhe ne Raportin e Progresit por edhe në direktivat e Bashkimit Evropian, dhe jemi të bindur se grupi punues së shpejti do të prodhojë një draft të kënaqshëm për të gjithë, dhe në këtë mënyrë do të elimohen të gjitha mundësitë për manipulim që kanë ekzistuar në të kaluarën dhe do të kemi një ligj modern dhe të standardit të lartë. 

Natyrisht, është përmendur se problem madhor është gjithashtu numri i madh i lëndëve, kryesisht civile, të grumbulluara nëpër Gjykata të cilat presin të përmbarohen. Ministria e Drejtësisë është në proces të përgatitjes së draft-ligjit për ndryshimin e ligjit për procedurën përmbaruese. Ky projektligj tashmë ka ardhur në fazën finale të shkrimit të tij, dhe së shpejti do të procedohet në Qeveri e Kuvend. Në bashkëveprim me Strategjinë Kombëtare për reduktimin e lëndëve të cilën e kemi përpiluar, kjo problematikë tashmë ka filluar të atakohet sistematikisht. Ndihmë shumë e madhe në këtë drejtim do të jetë funksionalizimi i sistemit të noterisë, i ndërmjetësimit dhe i dy tribunaleve të arbitrazhit brenda Odave Ekonomike në Kosovë, të cilat Ministria e Drejtësisë i mbështetë intensivisht për shkak të ndikimit të madh që ato presin të kenë në lehtësimin e barrës së madhe që mbanë Gjyqësori sot. 

Kjo barrë pritet të lehtësohet edhe më tej me themelimin e Këshillit Konsultativ për Drejtësi, Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar, të gjitha nën iniciativën dhe kapacitetet e Ministrisë së Drejtësisë, misioni i secilës është që ndihmojnë sistemin e drejtësisë në funksionim qoftë përmes hartimit të politikave qeverisëse të sfidave konkrete, qoftë përmes hulumtimeve të ndryshme. 

Ne jemi të vetëdijshëm edhe për një nevojë të vazhdueshme që kanë gjyqtarët tanë për ngritjen e kapaciteteve në kuptimin e arsimimit të vazhdueshëm ligjor që u ndihmon atyre që të kryejnë detyrën e tyre me shumë profesionalizëm, zell dhe efikasitet. Ndërkohë që ne e mbështesim vazhdimisht punën e Institutit Gjyqësor dhe përmes Ministrisë sonë ne përpiqemi që të vejmë në veprim praktikat ndër më të shquarat botërore, tashmë kemi iniciuar idenë e themelimit të Akademisë së Drejtësisë, qëllimet kryesore të të cilët do të jenë definimi i proceseve të edukimit të vazhdueshëm ligjor dhe koordinimi i tyre, në mënyrë që të ketë programe të unifikuara dhe të bashkërenduara të cilat u ofrohen Gjyqtarëve dhe Prokurorëve tanë; dhe planifikimi, zhvillimi dhe vlerësimi unik apo i përbashkët i të gjitha programeve që ofrohen për ta në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të gjyqtarëve e prokurorëve.

Në këtë mënyrë, Ministria e Drejtësisë është angazhuar pothuajse në secilin drejtim duke prekur kështu, me aq sa ka mundësi dhe kapacitete, secilën problematikë që sfidon sot Gjyqësorin tonë. Megjithatë, sundimi i ligjit është mision i përbashkët i shoqërisë sonë, dhe nuk duhet të shihet vetëm si detyrë e ekskluzive e pushtetit, qoftë legjislativ, ekzekutiv, apo atij gjyqësor. Pa bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme të shoqërisë, lufta drejt çfarëdo dukurie negative do te jetë boshe dhe, për më tepër, e pasuksesshme.

Për fund, dua të falënderoj KDI-në por edhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë civile aktive për punën e tyre që po bëjnë në identifikimin e sfidave dhe mangësive qenësore jo vetëm ne sferën e sundimit të ligjit, por edhe në çdo sferë tjetër. Dua t’ua rikujtoj të gjithëve se do të kenë mbështetjen time personale por edhe të Qeverisë së Kosovës për të kryer punën e tyre çdo ditë, përderisa ajo të jetë profesionale dhe e ndershme. 

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Skip to content