
Në konferencën e mbajtur sot, me titull: “Reforma në përmbarimin e aktgjykimeve civile”, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Drejtësisë, prof. Dr. Hajredin Kuçi, deklaroi se me qëllim të përmirësimit të vet jetës së qytetarit të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës, ka për synim të fuqizojë sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe në veçanti përmbarimin e lëndëve civile.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Kuçi, theksoi se një ndër hapat qenësor që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë në kuadër të kompetencave të saj është përgatitja e draft-ligjit për ndryshimin e ligjit për procedurën përmbaruese.
“Ne besojmë se vendi jonë ka nevojë për ndryshim sistematik dhe infrastrukturor të përmbarimit të lëndëve civile, e që këto ndryshime presim t’i vejmë në jetë në një periudhë të afërt kohore. Ndryshimet në këtë sistem do të dërgojnë në formimin e sistemit të ri të përmbaruesve të Republikës së Kosovës, ashtu siç ndodhë me ndryshimin e sistemit të përmbarimit të vendeve tjera, të cilat kanë filluar ndryshimin institucional të sistemit të përmbarimit të lëndëve civile”, pohoi ministri Kuçi.
Duke krijuar infrastrukturë ligjore moderne dhe të përpiktë, Ministria e Drejtësisë do t’i ndihmojë drejtpërdrejtë Këshillit Gjyqësor, për të ulur numrin e lëndëve të grumbulluara dhe fuqizimin e gjyqësorit, si dhe bashkë me të, të punoj në reformën institucionale të përmbarimit në vendin tonë.
Konferenca, “Reforma në përmbarimin e aktgjykimeve civile”, është organizuar nga programi për sistemin e përmbarimit të marrëveshjeve dhe vendimeve (SEAD) i misionit të USAID-it në Kosovë, nga projekti për reforma të përmbarimit në Ballkan (BERP) dhe nga projekti i BE-së për binjakëzim.