Skip to content
Fjalimi i ministrit Kuçi, në prezantimin e raportit të punës së Prokurorive Publike të Republikës së Kosovës për vitin 2010

Fjalimi i ministrit Kuçi, në prezantimin e raportit të punës së Prokurorive Publike të Republikës së Kosovës për vitin 2010

Prishtinë, 18/05/2011

Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në ceremoni të këtilla, ku prezantohet e përgëzohet puna e institucioneve tona, e veçanërisht kur kjo punë bëhet në fushën e sundimit të ligjit, si kjo sot. 

Sundimi i ligjit dhe sektori i drejtësisë në përgjithësi dihet të jetë fusha ku shoqëria dhe shteti i Kosovës do të ballafaqohet me më së shumti sfida. E sfidat, duhen të përballen me punë të zellshme dhe të vazhdueshme. 

Unë jam i bindur që nuk jam i pari, e as i vetmi që konsideroj se një barrë jashtëzakonisht e madhe në drejtimin e realizimit të aspiratave tona për sundim të ligjit i takon pikërisht gjyqësisë, e me theks të veçantë atyre që e vënë atë në lëvizje: prokurorët. 

Më vjen mirë që Prokuroritë tona sot prezantojnë punën e tyre të bërë gjatë vitit të kaluar, me bindjen se kjo do të kontribuojë në transparencën e punës së tyre. Jemi dëshmitarë të kritikave jo të rralla që bëhen në drejtim të punës së prokurorive tona. Por në të njëjtën kohë, jemi edhe dëshmitarë të faktit se gjatë viteve të kaluara, prokuroritë tona janë përballë me vështirësi të ndryshme, duke filluar nga ato materiale e deri te siguria në punë.

Sot, Ministria që drejtoj unë, prioritetin kryesor e ka bashkëpunimin dhe koordinimin me sistemin e drejtësisë, konkretisht me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Gjykatën Supreme (GJS) dhe institucionet ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë. Që të arrihet një efikasitet sa më i madh në këtë drejtim, ne mbajmë takime të rregullta ku njoftohemi për ngjarjet më të fundit në punën e tyre, diskutojmë për problemet dhe sfidat me të cilat përballemi dhe, më me rëndësi, punojmë së bashku drejt zgjedhjes sa më efektive të tyre.

Ministria e Drejtësisë, ndër hapat e parë që ka ndërmarrë drejt përmirësimit të punës së Prokurorive tona ka qenë marrëveshja e mirëkuptimit me të cilën është dakorduar në mes Ministrisë sonë dhe Këshillit Prokurorial për transferimin e personelit, dosjeve dhe aseteve nga MD tek KPK. Kjo marrëveshje është bërë me qëllim të menaxhimit sa më të mirë dhe vetanak të Prokurorive në të ardhmen, dhe gjithsesi, tregon edhe më tej përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e ekzekutivit për ndarje të pushtetit, siç kërkon Kushtetuta jonë. Në vazhdën e aktiviteteve në këtë drejtim, Ministria e Drejtësisë po angazhohet çdo ditë në implementimin e Ligjit mbi Këshillin Prokurorial. Jemi në fazën e rekrutimit të 45 prokurorëve të rinj, të cilët jo vetëm që pritet të lehtësojnë punën e atyre që tashmë janë pjesë e prokurorive, por gjithsesi pritet që të shtojnë efikasitetin e tyre dhe të sjellin vazhdimisht entuziazëm në punën tuaj. E kur flasim për gjeneratat e ardhshme të prokurorëve, duhet gjithsesi të përmendet se 
tashmë kemi filluar punën e themelimit të Akademisë së Drejtësisë, në mënyrë që të investojmë në të ardhmen e prokurorisë, pikërisht aty ky zë fill karriera e tyre: në edukimin 

Prokuroritë tona do të zënë vend të veçantë edhe në Këshillin Konsultativ për Drejtësi, i cili është themeluar rishtazi, me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim të avancimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, të zbatimit të strategjive të organeve gjyqësore dhe prokuroriale, të sigurimit të kushteve, propozimit dhe ndërmarrjes së masave në fushën e Gjyqësisë e Prokurorisë. Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar funksionalizimin e këtij Këshilli, dhe shumë shpejtë do të fillojë me punë konkretë për t’i përmbushur qëllimet e krijimit të tij. Këshilli për Drejtësi synon që të përfshijë idetë konkrete të të gjithë akterëve me rëndësi, duke përfshirë këtu përfaqësues të organeve të ekzekutivit, të gjyqësisë e prokurorisë, organizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, për ndryshime substanciale me nevojë që do të përmirësojnë kushtet e punës, ndër të tjera, edhe të prokurorive. Themelimi i këtij Këshilli, në kombinim me punën e përditshme të Ministrisë sonë, dëshmon edhe një herë përkushtimin tim personal por edhe të kësaj qeverie që të investohet sa më shumë në sigurinë materiale dhe fizike të prokurorëve.  Tashmë kanë filluar të shihen rezultatet e para të këtij përkushtimi: javën që shkoi kemi marrë vendimin për shtesa substanciale për prokurorët dhe stafin mbështetës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Si hap me shumë rëndësi, këto shtesa në fakt janë vetëm një ndër hapat e parë në mesin e shumë prej tyre që do të ndërmerren në vazhdimësi për të përmirësuar kushtet e punës suaj. 

Në rrugën tonë drejt përmirësimit të kushteve të punës suaj, nuk kemi lënë anash edhe vetë infrastrukturën ligjore në bazë të së cilës udhëhiqet puna juaj e përditshme. Në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, po rishikohen Kodet Penale në mënyrë që në to të reflektohen praktikat më të njohura e më të përsosura moderne ndërkombëtare. Në këtë fushë, po bashkëpunohet me një sërë ekspertësh ndërkombëtar, në mënyrë që prokurorëve tanë t’u jepen forca dhe mjetet e nevojshme që të luftojnë kriminalitetin në çdo fushë në mënyrë sa më efikase, gjithmonë duke respektuar edhe të drejtat e njeriut siç bëhet në vendet më demokratike në botë. 

Megjithatë, për t’i përmbushur të gjitha synimet e shoqërisë sonë për sundim të ligjit, nevojitet përkushtimi i juaj maksimal në kryerjen e detyrave tuaja në mënyrë sa më të zellshme dhe korrekte. 

Shoqëritë në përgjithësi, e veçanërisht shoqëria dhe shteti ynë që gjithmonë kanë qenë të etur për drejtësi, mbajnë standarde shumë të larta profesionale e edhe morale për prokurorët. 

Duke vendosur për një rast shumë të famshëm, Gjykata Supreme e SHBA-ve, në vendimin e saj citon se“…prokurori është jo thjeshtë një përfaqësues i njërës palë në mosmarrëveshje, por përfaqësues i sovranitetit, dhe për të obligimi që të qeveriset drejtë është po aq i rëndësishëm sa vetë qeverisja në përgjithësi; dhe interesi i tij në një procedurë penale, rrjedhimisht, nuk është që të fitojë rastin, por që të vendoset drejtë. Kështu, në një kuptim shumë të veçantë, ai është shërbyes i ligjit, qëllimi i dyfishtë i të cilit është që faji të mos mbetet i pandëshkuar e as pafajësia të mos vuaj”.  

Unë kam besim të fuqishëm në të ardhmen e ndritur të prokurorive tona, dhe sot para jush dua që sërish të kujtoj përkushtimin maksimal të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetje prokurorive, dhe në të njëjtën kohë kërkoj përkrahjen tuaj me shumë punë në këtë drejtim, që është jo vetëm kriter bazë i rrugës sonë evropiane, por së pari si fushë me ndikim të drejtpërdrejt në jetën e secilit prej nesh. 

Foto Galeria

Skip to content